Para

Përmirësohet tregu i kredisë, 120 mln euro hua që nga janari

Kredia për ekonominë është rritur me 120 milionë euro që prej fillimit të vitit.
Paratë kanë shkuar për familjet dhe bizneset. Teksa kategoria e parë nuk përbën një zhvillim të ri, kategoria e dytë është një ngjarje positive, pasi prej vitesh biznesi kishte probleme me financimin prej bankave.

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia është rritur për të tretin muaj radhazi edhe gjatë marsit. Portofoli i kredisë arriti në 547 miliardë lekë dhe u rrit me afërsisht gjashtë miliardë lekë gjatë marsit, nga 532 miliardë që ishte në fund të vitit të kaluar.
Në mars kredia është rritur njëkohshëm për të gjitha segmentet kryesore duke përfshirë kompanitë publike, private, korporatat financiare dhe individët.

Huadhënia për kompanitë publike, zë një peshë relativisht të ulët krahas totalit të kredisë për ekonominë, me më pak se 4% të totalit.

Rritja e kredisë të bën përshtypje në segmentin e bizneseve private, që përbëjnë edhe segmentin më të rëndësishëm në tregun e kredisë. Pas vitesh të tëra në rënie vjetore, në fund të muajit mars ky boshllëk u mbyll.

Kredia për biznesin rezultoi më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë 3 muajve të parë të këtij viti, kredia për biznesin është rritur me 9 miliardë lekë, duke përfshirë të gjitha segmentet, veçanërisht ndërmarrjet e mesme dhe ato të mëdha.
Kjo është hera e parë në 3 vitet e fundit, që kredia rritet për 3 muaj radhazi. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, gjatë kësaj periudhe, kursi Euro-Lek ka qenë thuajse i qëndrueshëm dhe e gjithë rritja në stokun e kredisë ka ardhur nga disbursimi i huave të reja për sektorin privat, kryesisht kreditë për biznesin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë