Histori

‘Përlindja e Shqipëniës’, gazeta e parë e shtetit shqiptar

Nga Gazeta Si - Si sot 109 vite më parë (24 gusht 1913) shteti i pavarur shqiptar formon të parën gazetë zyrtare të quajtur “Përlindja e Shqipëniës”.

“Përlindja e Shqipëniës”, botim i qeverisë së Vlorës nxori numrin e parë në gusht të vitit 1913 dhe do të vijonte deri në 26 mars 1914. Në këtë gazetë zyrtare fillimisht kryeredaktor ishte Dhimitër Berati, një nga figurat më të njohura të kohës, ndërkohë kontribuoi dhe publicisti Mihal Grameno.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në një postim të saj shkruan se gazeta vijoi të botohej dy herë në javë deri në vitin 1914. Kjo gazetë është pararendësja e gazetës që më pas u quajt “Fletorja Zyrtare”.

“Përlindja e Shqipëniës” mbështeti qeverinë e Vlorës të udhëhequr nga Ismail Qemali. Shumica e kryeartikujve ishin politikë dhe i kushtoheshin mbrojtjes së interesave të vendit dhe luftës ndaj faktorëve kundërshtarë të brendshëm e të jashtëm, me qëllim bashkimin e përparimin e tij. Në këtë gazetë u botuan të gjitha ligjet e kohës, sikurse ai për administratën civile, kanuni i Zhurisë e shumë ligje të tjera në të gjitha fushat e jetës publike.

Më poshtë, disa pamje të gazetës së parë zyrtare në vendin tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë