Futboll

Perla e Uillian, Ajaksi solid dhe Nojer “fair-play”, ja ç’ndodhi në Champions!

Është mbyllur raundi i dytë i ndeshjeve në grup në Champions League. Bajern Mynih, Ajaks, Mançester Siti dhe PSG janë skuadrat me pikë të plota pas 2 ndeshjesh, kurse Atalanta, Leverkusen, Benfika dhe Lila nuk kanë marrë asnjë pikë. Disa skuadra të mëdha janë në krizë dhe raundi i tretë i ndeshjeve do të jetë shumë i nxehtë. “Top” dhe “flop”, gola dhe fraza e ditës, ja çfarë ndodhi në ndeshjet e mesjavës në Champions.

Nga klubet që kanë gabuar më pak, tre janë ata që nuk kanë pësuar gol: PSG, Mançester Siti dhe Ajaksi. Holandezët, pa De Ligt, kanë forcuar mbrojtjen, por pa lëvizur asgjë në lojën sulmuese. Shënojnë gol prej 16 ndeshjesh në fazën në grupe. Në dy ndeshjet e këtij edicioni kanë regjistruar të njëjtin rezultat, 3-0, ndaj Lilës dhe Valencias. Pas fishekzjarrëve të sezonit të shkuar, Herik ten Hag i ka dhënë më shumë ekuilibër skuadrës. Ndeshja e radhës është me Çelsin dhe duhet konfirmimi. Janë tre klubet e mëdha që kanë vetëm një pikë. Përveç Interit, edhe Real Madrid e Totenhem kanë vënë në rrezik kualifikimin. Ndeshja e radhës për Realin është në Turqi me Gallatasarajin dhe nëse nuk ndryshon klasifikimi, do të jetë fatale për Realin.

Ishte një raund ndeshjesh me 5 gola fluturimthi, shumë të bukur për t’ua parë. Me siguri që goli i Uillian të Çelsit në Francë është pak më i veçantë sa i takon teknikës dhe kurajës. Duartrokitje meritojnë edhe Minamino (Salcburg) ndaj Liverpulit, Zhoao Feliks (Atletiko) ndaj Lokomotivës së Moskës, Suarez (Barcelona) ndaj Interit dhe Semedo (Olimpiakos) ndaj Crvena Zvezdës.

Bajerni feston fitoren ndaj Totenhemit. Gazeta Si, 3 tetor 2019

TOP DHE FLOP — Sulmues që festojnë pas çdo gjuajtjeje dhe të tjerë që humbin raste pa fund. Serge Gnabri, 24 vjeç, për 4 golat ndaj Totenhemit, kishte nevojë vetëm për 6 gjuajtje. Nuk është lojtari i parë gjerman që shënon 4 gola në Champions, e ka bërë edhe Mario Gomez me Bajernin në fitoren 7-0 ndaj Bazelit. Fytyra e trishtë është ajo e Arkadiusz Milik të Napolit, i cili në 8 tentativa nuk shënoi asnjë gol. Dy traversa, 4 jashtë dhe 2 gjuajtje të devijuara. Ndonjëherë nuk duhet perfeksioni për të shënuar gol. Denis i Bryzhit, në dygolëshin ndaj Real Madrid, gaboi në stopim dhe ishte duke u rrëzuar para se të gjuante. Portierët çorientohen edhe kështu.

Nojer dhe Loris. Gazeta Si, 3 tetor 2019

FRAZA E DITËS — “Më vjen keq për Hugo Lloris” (Manuel Nojer pas fitores 7-2 të Bajernit ndaj Totenhemit). Solidaritet mes portierësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë