Komunitet

Përhapja e Covid, për 3 ditë kapëm nivelet e Italisë, Greqisë

Nga data 15 tetor deri më 15 nëntor, Shqipëria pati një mesatare rreth 23 për qind të rasteve pozitive me koronavirus në raport me numrin e testeve të kryera. Kjo shifër del në bazë të përllogaritjeve që ka bërë Gazeta “Si”, duke analizuar të dhënat zyrtare nga data 15 tetor deri në datën 15 nëntor.

Por, vetëm në tre ditët e fundit, kur shifrat kanë kërcyer mbi 600 të infektuar, përqindja e personave të infektuar në raport me numrin e testimeve u rrit me thuajse 4 pikë, duke shkuar në një mesatare rreth 27 për qind.

Në gjysmën e dytë të muajit tetor, numri i personave që rezultonin pozitivë në raport me testimet totale vërtitej 22-23 për qind, me përjashtim të 31 tetorit, kur shifra kërcen në 29.3 për qind.

Në këtë datë, Ministria e Shëndetësisë raporton 514 të infektuar nga 1750 testime. Kjo ishte hera e parë që numri i personave që rezultuan pozitivë tejkaloi 500.

Numri i rasteve të reja varet nga numri i testimeve. Sa më shumë testime të kryhen, aq më e lartë është shifra me të infektuar. Kjo është njëra prej arsyeve se përse Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se në këtë fazë vetëm testimi është mjeti më i mirë për të kuptuar më mirë gjendjen e pandemisë në një vend.

Por, për të pasur një ide më të qartë dhe krahasuar përhapjen pandemisë mes vendeve të ndryshme e dhëna që ndihmon më shumë është ajo e numrit të personave të infektuar në raport me numrin e testimeve.

Nëse krahasojmë shifrat me Italinë, ku masat shtrënguese janë shumë më të ashpra se në Shqipëri, përfshirë këtu mbylljen pothuajse në të gjithë vendin të lokaleve, përhapja e pandemisë është me të njëjtin intensitet, të paktën krahasuar me 18 nëntori. Në këtë datë, Italia raporton se 27.6 për qind e personave totalë të testuar rezultuan pozitivë, po aq sa në Shqipëri.

Më 18 nëntor, Greqia raporton 3209 raste të reja, një rritje me rreth 1200 raste në krahasim me një ditë më parë. Ndërkohë, numri total i testimeve është rreth 25 mijë. Duke analizuar këto shifra, për 18 nëntorin llogaritet që rreth 12.5 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë.

Por, autoritetet greke nuk përdorin të njëjtën metodikë me Italinë, apo Shqipërinë në raportimin e numrit tw testimeve. Në numrin total të tyre përfshihen edhe testimet e kryera nga spitalet, apo laboratorët privatë, testimet për çështje kontrolli, apo lëvizjeje dhe arsye pune, apo thjesht kontrolli rutinor. Këto kategori testimesh përbëjnë gjysmën, ose më shumë të raportimeve ditore. Pra, nëse llogaritet me gjysmën e 25 mijë, raporti i të infektuarve në Greqi nuk është 12.5 për qind, por mbi 26 për qind.

Situata më e rënduar mes vendeve të rajonit duket në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, ku numri i të infektuarve në raport me numrin e testimeve prej ditësh vërtitet rreth 40 përqindëshit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë