Editorial

Rimbursimi i ilaçeve ndaj COVID, si stimul që ul valën e pandemisë

Institucionet shëndetësore në Shqipëri për efekt të ndihmës financiare që do të japë shteti ndaj të prekurve me COVID-19 kanë përllogaritur se shpenzimet për t’u kuruar nga shtëpia sipas recetës së mjekut të familjes, për një pacient janë rreth 11 mijë lekë për 14 ditë. Llogaritjet janë bazuar mbi një të sëmurë jo rëndë, por të gradës mesatare, megjithëse nuk e kemi të shpjeguar qartë se çfarë gjendje tregon shkalla mesatare i infektimit. Në shportën e shpenzimeve për t’u rimbursuar përfshihet testi PCR, antibiotikët dhe analizat e gjakut dhe sigurisht antiflamatorët si p.sh ibuprofeni dhe vitaminat.

Rimbursimi do të ndodhë shumë shpejt, pasi këto ditë ka vendosur qeveria. Kjo shumë parash prej 11 mijë lekë që sot shfaqet si shpenzim ekstra për shqiptarët zë rreth 23 për qind të pagës mesatare bruto (rreth 54 mijë lekë sipas të dhënave në shtator nga INSTAT). Për punëtorët, punonjësit e kualifikuar në bujqësi apo peshkim, për punëtorët në ndërtim dhe industri ky lloj shpenzimi është më i lartë, duke arritur dhe mbi 1/3 e pagës bruto.

Aq i lartë është ky shpenzim sa është i krahasueshëm me të gjitha shpenzimet e tjera që kryhen në një familje për të jetuar përveç shpenzimeve për ushqim dhe pije.

Që prej fillimit të marsit kur u shfaq pacienti zero në Shqipëri e deri sa doli së fundmi vendimi i qeverisë, minimalisht kosto e kurimit të një sëmuri “mesatar” është përballuar nga vetë individët dhe ka qenë një barrë e rëndë për çdo familje, pa llogaritur për statuse të tjera kur vetëm një kryefamiljar punon, raste e asistencës, të pensionistëve, invalidëve, etj.

E bëmë këtë parashkrim financiar për të ngritur një hipotezë se kosto e lartë e kurimit në izolim në raport me të ardhurat i ka detyruar plot qytetarë të mos deklarohen për t’u karantinuar sa pa arritur në gjendjen kritike. Për pasojë, në rastet kur ata kanë rezultuar pozitiv kanë shkaktuar “me dashje” të shtyrë nga kosto e lartë, një zinxhir infektimesh që shkon në raportin 1:5. Nëse do të kemi parasysh që shumica e shqiptarëve janë me të ardhura të ulëta punojnë në ambiente kolektive më shumë punëtorë si p.sh fasonët, call center, sanitarët e shkollave, efekti i valës së  infeksionit detyrimisht shtohet. Nga ana tjetër, sot kemi një situatë të trishtë se për shkak të amullisë ligjore, mosrakordim mes institucioneve, plot qytetarë mund të humbasin pagën derisa të marrin përgjigje për tamponin.

Gazeta “Si” ka dëgjuar plot dëshmi për të cilat qytetarët dëshirojnë të mbeten anonim se për shkak të kostos së kurimit, shumë prej tyre kanë qenë prezent në punë edhe pse kanë qenë në kontakt me persona të dyshuar ose të konfirmuar me Covid edhe ata vetë, por me simptoma të lehta.

Nëse disbursimin e medikamenteve për kulmin nga koronavirusi të çdo individi në kushtet e shtëpisë do ta shikojmë jo si ndihmë për familjet, por në një këndvështrim tjetër: si një ndihmë për të frenuar infektimet e reja, potencialisht institucionet e shëndetit dhe vetë qeveria do të kishin një instrument më shumë për të parandaluar përhapjen dhe ulur kostot spitalore të kurimit. Tani që numrat janë rritur eksponencialisht dhe kapacitetet e lira në spitale janë vetëm 25 për qind, duhet menduar më shumë rreth këtij argumenti.

Po sikur qeveria përmes mbështetjes buxhetore të rriste gamën e rimbursimit a do të kishim më shumë qytetarë të gatshëm të karantinoheshin, çka nuk e bëjnë dot sot se nuk e përballojnë dot financiarisht? Pra të lëviznim ndryshe: që përtej përgjegjësisë qytetare, të angazhonim qytetarin dhe t’i jepnim atij mundësi që të përfshihet më shumë në parandalimin e virusit edhe përmes fondeve vetjake sepse është i sigurt që këto para do t’i kthen më pas. Kështu kemi krijuar një stimul financiar.

Kjo mënyrë do të shfrynte njerëzit në dyert e spitaleve në gjendje të rëndë dhe për shkak të skedulimit të shpenzimeve, buxheti do të fitonte më shumë për të njëjtat para, sepse në fillim shpenzimi do të kryhej nga vetë familja e më pas ai do të rikthehej nga shteti. Gjithçka nis dhe mbaron te portofoli i gjithsecilit. Kjo është e vlefshme edhe për pandeminë.

Një tjetër efekt pozitiv do të lidhet me kostot e gjithanshme në spitale. Do të dukej se duke rritur shpenzimet për rimbursim do ë rriteshin kostot e përgjithshme të sistemit. Por nuk është kështu, çdo ekonomist madje dhe çdo mjek e di që kostot e parandalimit sado që të jenë, janë të gjitha më të ulëta se të kurimit. 

Vendimi për rimbursimin e medikamenteve për qytetarët që kurohen nga shtëpia, është i drejtë, por do të mund të shumëfishonim efektet pozitive të tij nëse do të vlerësojmë jo si lëmoshë dhe as si detyrim që një qeverisje e mirë ka ndaj qytetarëve, por edhe si instrument që parandalon përshkallëzimin e pandemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë