Muzike

Tre net MIK Festival/ Ndërthurje e muzikës greke, italiane, rumune e spanjolle në Korçë

Nga Gazeta Si - Për tre net me radhë nga data 28-30 korrik në Korçë, festivali “Mik Festival” i ideuar nga sopranoja e njohur, Inva Mula mbajti edicionin e gjashtë të tij me pjesëmarrjen e artistëve të njohur shqiptarë dhe të huaj.

Këtë vit Mik festival, Festivali i Muzikës Internacionale në Korçë ndërthuri muzikën greke, italiane, rumune e spanjolle, duke përfshirë në programin treditor teatrin e qytetit, Drenovën dhe kishën e Mborjes.

Ky edicion filloi me një homazh për artisten lirike korçare Jorgjie Filçe (Truja), duke ngjitur në skenën e teatrit “Çajupi” sopranon e skenave botërore, Ramona Tullumani.

“Dueti me sopranon botërore, Inva Mula, i kësaj pjese nga ‘Dasma e Figaros’, renditet ndër gjërat e rralla, të bukura dhe plot dashuri të rrugës sime si këngëtare lirike. E edukuar që e vogël me trashëgiminë familjare dhe dashurinë për operan, interpretimet e Invës në skenat e teatrot më të famshëm të botës më kanë shërbyer si shtysë për të ecur përpara rol pas roli, në një rrugë të vështirë e të lodhshme”, shkruan sopranoja Ramona Tullumani.

Kujtesa ndaj figurave që i kanë dhënë aq shumë artit mbetet një prej synimeve të MIK Festival, i cili është kthyer tashmë në histori suksesi, që ka zbritur muzikën klasike nga skenat në sheshe për të krijuar kështu një hapësirë të pakufishme artistike.

Nata e parë e Mik Festival do të vijonte në Pazarin e Vjetër me koncertin e këngëtares greke Kaliopi Vetta, (e cila është dhe deputete në parlamentin grek) për të kujtuar një nga emrat më të spikatur të muzikës greke, kompozitorin Mikis Teodorakis.

Në këtë edicion mori pjesë edhe maestro e njohur Elda Laro që erdhi nga Gjermania dhe artistët nga Italia, pasi në natën e dytë në “Sheshin e Pazarit” të Korçës u mbajt koncerti italian “La Notte Italiana”.

Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura nën dirigjimin e Elda Laros interpretuan ariet dhe duetet më të bukura të repertorit italian të njohur gjerësisht në mbarë botën, të cilat u sollën nga sopranoja italiane, Desirée Rancatore dhe tenori italian, Gulio Pelligra.

Në këtë koncert nuk do të mungonin as flamengot spanjolle. “Nën ritmin e hapave të Flamenkos” ishte koncerti me artistët katalanas: Alba Bioque, Jeronimi Maya, Violetta Barrio, David Domingues që e coi publikun në Spanjën e largët nën ritmin e hapave të flamenkos.

Ndërsa kultura shqiptaro-rumune erdhi përmes një çifti artistësh shqiptaro-rumun, Ionela dhe Gjergji Mani në natën e tretë të festivalit në Drenovë.

“Një ditë shkova nga Drenova” ishte koncerti shqiptaro-rumun që erdhi nën interpretimin e tenorit korçar që vinte nga Rumania Gjergji Mani dhe sopranos rumune, Ionela Mani.

Festivali që është kthyer në traditë bashkon shpirtin e artin në kishat monument të zonës, duke promovuar njëherësh turizmin, trashëgiminë e gastronominë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë