Bota

Përfundon epoka Netanjahu në Izrael, kryeministri i ri është Naftali Benet

Pas 12 vitesh qeveri të drejtuara nga Benjamin Netanjahu, Knesset, Parlamenti izraelit, ka votuar ekzekutivin e ri, me në krye Naftali Benett.

Qeveria e ardhshme do të përbëhet nga një koalicion i gjerë mes shumë partive dhe ka një shumicë të thjeshtë në Kuvend. Naftali Bennet dhe Lapid morën besimin e 60 deputetëve, ndërsa 59 të tjerë e kundërshtuan atë.

Në bazë të marrëveshjes së koalicionit, Bennet, i cili udhëheq partinë Yamina, do të ushtrojë postin e kryeministrit deri në shtator të vitit 2023 dhe më pas do t’ia dorëzojë atë, Yair Lapid, udhëheqësit të partisë Yesh Atid.

Ndërkohë Netanyahu, i cili ishte në krye të qeverisë që prej 12 vitesh, do të jetë lider i opozitës. Kryeministri i ri, tregoi nerva të forta duke mbajtur qetësi për më shumë se gjysmë ore mes britmave të mbështetësve të tij.

Ai e portretizoi situatën në mënyrë të përsosur, kur urdhëroi opozitën të "ndalonte kaosin", duke premtuar se do të ishte ai që "do t'i japë fund një periudhe të tmerrshme urrejtjeje midis popullit të Izraelit".

"Ky copëtim, i cili ka shkatërruar strukturën tonë shoqërore, - denoncoi ai, - na ka çuar në një spirale urrejtjeje dhe grindjesh midis vëllezërve”.

Irani, armiku numër një, gjithashtu ka qenë subjekt i polemikave, pavarësisht se Bennett ishte i qartë.

Izraeli "nuk do të lejojë Teheranin të marrë armë bërthamore. Ringjallja e marrëveshjes bërthamore me Iranin, - tha ai, - është një gabim që do ta bëjë të ligjshëm një nga regjimet më të dhunshme në botë. Izraeli ruan të gjithë lirinë e tij të plotë të veprimit".

"Unë jam i shqetësuar nga ajo që Bennett sapo tha, - reagoi Netanjahu. - Normalisht ai bën të kundërtën e asaj që thotë. Ashtu si me Lapid, me të cilin ai tha se nuk do të bënte kurrë koalicion".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë