Bajerni i Mynihut ka nevojë për përforcime, ashkush nuk e fsheh këtë gjë në kampin bavarez. Pas ndeshjes me Hertën e Berlinit të dielën pasdite, ku Bajerni fitoi, David Alaba i kërkoi publikisht klubit të plotësojë organikën. "Nuk është mister që na duhet ndonjë lojtar tjetër, e ka thënë qartë edhe trajneri ynë. Megjithatë, unë bëj atë që më takon dhe ua la të tjerëve të bëjnë punën e tyre", - tha konkretisht Alaba.
Duke parë dëmtimet e Lukas Hernandez, Niklas Zyle dhe Havi Martinez, bavarezët janë zbuluar në prapavijë. “Në mbrojtje kemi pak alternativa, është e dukshme", - ka theksuar trajneri Flik. Kjo është ajo që trajneri dhe lojtarët kanë thënë publikisht, sepse mes tyre kanë diskutuar edhe me detaje. Në dhomat e zhveshjes së Bajernit është diskutuar për emra konkretë dhe për njërin me shumë se të tjerët: për rikthimin e brazilianit Douglas Kosta. “Bild” bën me dije se gjatë grumbullimit dimëror të skuadrës në Doha trajneri Flik ka folur me lojtarët më të rëndësishëm për të kuptuar se çfarë mendojnë ata për përforcimet.
Në bisedat që trajneri ka pasur me Nojerin, Mylerin, Alabën, Kimish dhe Levandovskin, praktikisht senatorët e skuadrës, ka kuptuar se ata duan rikthimin në Mynih të Douglas Kostës, i cili u largua nga barvarezët në verën e 2017-ës për të kaluar te Juventusi. Fakti që Koman dhe Gnabri kanë probleme fizike vazhdimisht, e bën edhe më të nevojshme ndërhyrjen në merkato të drejtuesve të klubit. Përveç mbrojtjes, Bajerni ka nevojë të fuqizojë edhe krahët e sulmit. "Janë drejtuesit e klubit ata që punojnë për një grup të një niveli sa më të lartë, - ka thënë kapiteni Nojer. – Ne kemi besim tek ata". Kjo është deklarata publike e tij, pasi privatisht drejtuesve u është sugjeruar tashmë edhe një emër konkret.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.