Skuadrat shqiptare mezi e presin hapjen e merkatos, si në verë, ashtu edhe në dimër. Në merkaton dimërore, në fakt, alternativat janë shumë të pakta, aq më tepër në një kampionat të varfër si ky i yni, megjithatë të gjithe klubet, veçanërisht ato të Superiores, mundohen të marrin sadopak “karburant” për t’i shkuar deri në fund garës dhe ç’është më e rëndësishme, të arrijnë objektivat e sezonit.
Merkato e dimrit ka ditë që është hapur zyrtarisht, por lëvizjet e deritanishme janë me pikatore. Më shumë tentohet huazimi i ndonjë lojtari nga klubet e huaja, ku ai nuk ka hapësirat e nevojshme të aktivizimit. Partizani, ekipi kampion i vendit, ka zyrtarizuar vetëm trajnerin Adoldo Sormani dhe mbrojtësin Dorian Kërçiku, ndërkohë që po teston lojtarë të ndryshëm, të cilët me sa duket nuk po bindin. Tirana ka pasur lëvizje në dalje, njëri prej tyre pikërisht Kërçiku, ashtu si dhe Imami, që duket pranë Skënderbeut. Kukësi nuk ka bërë ndonjë blerje zyrtare ende, ndërkohë që ka humbur sulmuesin kosovar Daku. Shumë pak lëvizje, për hir të së vërtetës.

Teuta, një nga skuadrat me pretendime këtë sezon, ka prezantuar sot blerjen e parë, një sulmues 26-vjeçar nga Guinea-Bisau, i cili ka qenë më parë pjesë e Boavistës në Portugali. E veçanta është se Idelino Gomes Kolubali është 2.04 metra i gjatë. Një lojtar që do të ishte më i vlefshëm për basketbollin se për futbollin, një “binjak” i Majkëll Ngo të Tiranës.
“Teuta komunikon marrëveshjen me futbollistin 26-vjeçar Idelino Gomes Kolubali për një vit. Lojtari ka firmosur kontratën dhe vjen në Durrës nga kampionati portugez, ku ka luajtur me Boavistën. Sezonin e fundit ka qenë pjesë e FC Lincoln në Gjibraltar”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit durrsak. Nga klubet e tjera deri tani ka pasur vetëm largime, ku kryeson Laçi me 7 lojtarë të larguar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.