Sociale

Përfituesit e zgjerimit të paketës financiare, Rama: Do të paguhen brenda muajit

176 mijë personat që përfitojnë pagesën prej 40 mijë lekësh të reja në llogaritë e tyre si pjesë e zgjerimit të paketës së ndihmës financiare në kuadër të luftës kundër koronavirusit do të mund të tërheqin këto para duke filluar nga java e ardhshme.

Kryeministri Edi Rama shkoi në rrjetet sociale se duke filluar që prej 20 prillit do të nisë disbursimi i këtyre parave në llogaritë përkatëse, ndërsa brenda muajit dha si afat përmbylljen e të gjithë procesit për të trija këto kategori.

“100 mijë të punësuar në bizneset e vogla, të cilat janë goditur në xhiron e tyre gjatë javëve të kufizimit të lëvizjeve, 66 mijë punonjës në bizneset e mëdha, që janë goditur gjatë këtyre javëve në vendet e tyre të punës, 10 mijë të punësuar në sektorin e turizmit, nga data 20 prill, shuma prej 40 mijë lek do të fillojë të derdhet në llogaritë e të gjithë këtyre individëve dhe brenda muajit të 176 mijë familjet përkatëse do ta kenë marrë atë”, shkruan Kryeministri Edi Rama.

Rama parashikon që fundi i muajit maj të sjellë një normalizim të ndjeshëm në tregun e punës dhe një pjesë e madhe e personave që përfitojnë këtë pagesë në prill të rikthehen në punë në këtë periudhë.

Megjithatë, një ditë më parë, Kryeministri nuk përjashtoi mundësinë e një pakete të tretë ndihme financiare që Qeveria do të diskutojë në fund të muajit maj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë