Rend dhe Ligj

Përfitoi miliona euro duke mashtruar italianët, ekstradohet nga Dubai 28-vjeçari shqiptar

Gazeta Si - Është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe 28-vjeçari shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim kompjuterik, Bruno Çobo.

Ai akuzohet nga SPAK si pjesëtar i një grupi të strukturuar që kryente veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet një "Call Center"-i.

Grupi kriminal në të cilën ai bënte pjesë, dyshohet se ka përfituar rreth 4.700.000 euro, nga skema e mashtrimit.   

Policia tha se ai është lokalizuar në Abu Dhabi pas shkëmbimit të informacioneve mes Drejtorisë së Interpolit, Departamentit të Policisë Kriminale dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe. 

Sipas njoftimit për mediat, 28-vjeçari ka bërë kërkesë për t’u kthyer me dëshirë dhe ditën e sotme është bërë deportimi i tij në Shqipëri.   

Çobo akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprat penale ''Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, ''Grupi i strukturuar kriminal'' dhe ''Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”. 

Çobo akuzohet nga SPAK se në bashkëpunim me 16 persona të tjerë kanë arritur që të mashtrojnë mijëra qytetarë italianë duke përfituar miliona euro përmes bursave fiktive me "Call Center".

Kjo është hera e parë që esktradohet nga Dubai në Shqipëri një person i shumëkërkuar. Pak kohë më parë, SPAK dërgoi për gjykim 17 persona, të cilët akuzohen se zhvatën 4.7 mln € nga 1200 italianë dhe i investuan në kriptovalutë.

Sipas SPAK, grupi kriminal menaxhonte "Call Center"-a në Tiranë përmes mashtrimit për investime në bursë. Vetëm një italiani i vodhën 700 mijë euro.

Grupi operonte përmes një call centeri në Tiranë të cilët kontaktonin qytetarë në Itali. Personat kontaktoheshin nëpërmjet telefonit, u propozohej blerja on line e aksioneve “Amazon” me premtimin e pa vërtetë të fitimit të shumave të majme dhe të shpejta.

Në momentin që klienti në dijeni pranonte nënshkrimin e investimeve, i dërgohej një e-mail që përmbante një link nëpërmjet të cilit lidheshin për të filluar blerjen e titujve.

Viktima shkarkonte sipas udhëzimeve të telefonuesit aplikacionin “AnyDesk”, duke i lejuar këtij të fundit që të futej si i jashtëm në kompjuterin e tij dhe të marrë kodet e sigurisë të bankës dhe më pas në numrat e llogarive bankare.

Në datën 21.07.2023 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi masën “arrest në burg“, ndaj shtetasve Bruno Çobo, Aldo Pasku, Bruno Gjika, Gjin Shelnishta, Hamit Dobi, Erion Kastrati, Mojsi Zuna, Florjan Bregu, Orland Cani, si dhe masën “arrest në shtëpi”, ndaj shtetaseve Rezarta Ibrahimi, Antoneta (Malo) Pepkolaj, Olta Toçi, Greta Pepa, Silvana Veliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë