Kosova

‘Për Zajednicën’, aktivistë të PSD-së gjuajnë me tortë zv.kryeministrin Bislimi (Video)

Aktivistë të Partisë SocialDemokrate të Kosovës (PSD) i kanë hedhur tortë dhe “milkshake” zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislmi.

“Tortë e milkshake për ‘Zajednicën’. E gëzofshin këta që e pranuan! Kurse ne, qytetarët e Kosovës, do ta kundërshtojmë atë e të kërkojmë masivisht dorëheqjen e tyre. Prandaj, protestojmë të shtunën, me 25 mars, në orën 14:00”, ka thënë PSD-ja në njoftimin e saj në Facebook.

Në tortën me të cilën u tentua të goditej në fytyrë Bislimi, shkruhej “përhajër Zajednicën”, duke aluduar në Marrëveshjen e Ohrit, me të cilën PSD-ja thotë se u pranua “themelimi i Zajednicës”.

Pjesëtarët e PSD sot dikur kanë qenë me Kurtin në VV, por rrugët e tyre janë ndarë. Protestat dhe gjuajtjet me domate, vezë apo miell kanë qenë dikur format e VV dhe Kurtit në opozitë ndaj qeveritarëve të kohës. Sot kjo formë proteste u vjen zyrtarëve të VV në qeveri nga ish themeluesit e kësaj lëvizje, që drejtohet nga Dardan Molliqaj.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i detyrueshëm për të dyja palët në momentin e publikimit të tij.

Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa, kryeministri Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, Kurti nënvizoi se Serbia sërish nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë