Analize

Për tërmetin, NATO e testoi Shqipërinë që 20 vjet më parë por…

Ndoshta tërmeti i 26 nëntorit nuk do të kishte pasur 51 viktima dhe mbi 1 mld euro dëme të përllogaritura deri më tani, nëse qeveritë nuk do të kishin neglizhuar investimet e partnerëve pikërisht për emergjencat civile.

NATO ka investuar që në vitin 1999 për të simuluar një tërmet në Shqipëri dhe për të marrë të gjitha masat e domosdoshme për të pasur sa më pak dëme në njerëz dhe ekonomi e ashtu për të përballuar më së miri të paktën 10 orët e para të katastrofës së mundshme natyrore deri në mbërritjen e ndihmës ndërkombëtare.

“Toka nisi të dridhet frikshëm ekzaktësisht në 7:30 të mëngjesit. Shtëpitë u lëkundën e mandej ranë, ndërtesat e rrënuara u përfshinë nga flakët, dhe më shumë se 4,000 njerëz e gjetën veten të pastrehë brenda pak minutave. Linjat telefonike ranë, energjia elektrike u ndërpre dhe një rrëshqitje në tokë bllokoi të gjitha rrugët brenda dhe jashtë Elbasanit, një qytet shqiptar, rreth 54 kilometra në juglindje të Tiranës”. Kështu përshkohet simulimi i situatës në dokumentin e e NATO-s (të siguruar nga Gazeta "Si") me titull “Plani i Katastrofës Shqiptare” që mban datën 1 dhjetor 2000, njëzetë vite të shkuara.

Artikulli vijon më tej duke përshkruar, me kufomat nën rrënoja, gjak dhe banorë të plagosur duke bërtitur nën dhimbje dhe viktima të bllokuara gjithashtu nën rrënojat e shtëpive të tyre që nuk ekzistojnë më, duke u përpjekur në mënyrë të dëshpëruar të dëgjohen për tiu ardhur në ndihmë, një panik që intensifikohet gjithmonë e më shumë.

Brenda gjysmë ore, pasi shkalla e katastrofës natyrore u bë e dukshme, agjencitë e specializuara mësuan për të dhe filluan përgatitjen e ndërhyrjes së tyre.

Ky ishte skenari i Simulimit të Katastrofës Shqiptare 2000, plani ushtrimor i parë i emergjencës civile shqiptare, i cili ndodhi më 17 tetor. Një skenar i tillë, i cili u frymëzua prej tërmetit të shtatorit 1999 në Athinë, dhe NATO gjykoi se kjo situatë mund të ndodhë edhe në Shqipëri, meqenëse vendi shtrihet në të njëjtën linjë sizmike, shumë të ndjeshme si Greqia dhe Turqia.

Simulimi kishte së pari për qëllim të qartësonte rolet dhe përgjegjësitë e agjencive kyçe në Shqipëri gjatë një ngjarjeje katastrofe natyrore të mundshme, se sa menaxhimin e vetëm të një tërmeti të tillë.

Qeveria qendrore, qeveria vendore, shërbimet e emergjencës, organizatat jo-qeveritare dhe agjencitë ndërkombëtare u bashkuan në këtë simulim në kohë reale, i cili pati për qëllim të riprodhojë kushtet e dhjetë orëve të para që ndjekin një katastrofë natyrore, koha që zakonisht duhet që ndihma ndërkombëtare të mbërrijë. Aktivitetet përfshirë evakuimin, ushqimin dhe shpërndarjen e ujit, mbështetje psikologjike dhe mjekësore e po ashtu sigurimin e teshave dhe strehimit.

Ushtrimi ishte rezultati i tre muajve përgatitjesh intensive që u ndoq nga një vit bashkëpunimi mes aleatëve të NATO, vendet partnere dhe autoritetet shqiptare për të zhvilluar një strukturë plani kombëtar të emergjencave civile, struktura dhe organizim kombëtar të planifikimit të emergjencave civile siç kërkohet nga Programi i Partneritetit Individual i Shqipërisë me NATO-n.

Për më tepër, një këshilltar i NATOs, Silla Jonsdottir, u vendos në Tiranë që prej prillit 1999 si konsulente ligjore për grupin e punës shqiptar ndërministror të urgjencës civile, duke ndihmuar hartimin e legjislacionit të nevojshëm.

Znjsh Jonsdottir, e cila është nga Islanda, mbërriti në Shqipëri gjatë fushatës së NATOs në Kosovë në një kohë kur qindra mijëra refugjatë nga Kosova po mësynin në kufurin shqiptar, duke mbingarkuar shërbimet e reagimit ndaj urgjencës në vend.

Përvoja e sigurimit të ndihmës së menjëhershme për kaq shumë njerëz ndihmoi që detyra e grupit ndërministror të jetë prioritet qeveritar. Mes nëntorit 1999 dhe janarit 2000, grupi studioi sisteme të urgjencës civile në vendet partnere si Sllovenia, Suedia dhe Austria. Mandej përgatiti një projektligj, i cili u dërgua në maj 2000 nëpër ministri, institucione, agjensi ndërkombëtare dhe organizata joqeveritare për koment.

Për të parën herë, të gjithë këta njerëz përjetuan një metodë krejtësisht të re të punuari bazuar në një informacion të pakufizuar dhe ndarje eksperience, do të thoshte Znjsh Jonsdottir.

Kjo qasje hedh bazat për çdo bashkëpunim efiçent dhe mirëfunksional.
Procesi i konsultimit gjeneroi të dhëna për më shumë se 20 burime, i cili u përfshi në një draft dokument. Dokumenti do të përfshihej në ligj në një të ardhme të afërt.
“Me përfundimin e asistencës së Znjsh Jonsdottirs dhe NATOs, Shqipëria do të hedhë sytë tek Aleatët dhe vendet e tjera partnere për ndihmë në vazhdimin e implementimit të legjislacionit.”- citohet në artikull.

Ndihma për Shqipërinë tani mund të ekzistojë mbi baza bilaterale, nën ombrellën e NATO-s, tha zonja Jonsdottir. Aktualisht ne parashikojmë të emërojmë një vend lider për të mbikëqyrur procesin.

Luan Kapaj zjarrifikësi nga Vlora që u dekorua nga kryeministri për kontributin që dha pas katastrofës së tërmetit

NATO shpërndau planin e aktiviteteve për emergjencat civile në atë kohë për të përfshirë anëtarët e programit të Partnershipit për Paqe në 1995, shumë prej të cilëve të cilët janë shumë aktivë në fushë. Po ashtu vetëm në 2000, Aleanca ndihmoi për të organizuar më shumë se 100 plane aktivitetesh të emergjencave civile, përfshirë ushtrime, seminare dhe workshope, duke përfshirë më shumë se 100,000 zyrtarë nga gjithë rajoni Euro-Atlantik.

Por sic ndodhi në tërmetin e 26 nëntorit asgjë e ngjashme nuk u pa nga strukturat shtetërore me ate se cfarë kishin mësuar nga NATO. Heroi ynë u bë zjarrifkësi që nuk kishte as kundra gaz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë