Futboll

Për mbrojtësit sot bëhen çmenduri, por Tare gjeti dyshen më të mirë me 7 mln euro!

Gazeta Si - Verën e kaluar e gjithë vëmendja ishte te Bremer dhe De Ligt, Kulibali dhe Kim. Shpenzime të çmendura si kurrë më parë edhe për mbrojtësit e qendrës, si të ishin sulmues që shënojnë 20 gola në sezon. Fusha ka treguar se diferencën nuk e bëjnë shifrat e blerjeve, por zgjedhjet e zgjuara.

Si në rastin e Lacios, që ka mbrojtjen më të mirë të Serisë A, me 20 gola të pësuar. Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, siguroi një dyshe perfekte me Kazalen dhe Romanjolin, që në total i ka kushtuar 7 milionë euro.

Romanjoli dhe Kazale, dy qendermbrojtesit e Lacios. Gazeta Si, 19 prill 2023

Kalimi te bardhekaltrit me parametra zero i ish-lojtarit të Milanit duket se vërtet ka spostuar ekuilibrat sa i takon mbrojtjes. Me garancinë që ka në prapavijë, ku bën pjesë edhe mbrojtësi kuqezi Elseid Hysaj, Lacio ka ‘blinduar’ vendin e dytë në Serinë A, që askush nuk e priste.

Dhe një meritë të madhe këtu ka Tare për dyshen solide të qendrës së mbrojtjes, që për më tepër e ka arritur me shpenzime modeste.

Të gjesh një mbrojtës qendre me nivel është bërë tashmë diçka shumë e komplikuar në futboll, por Igli Tare ia di mirë ‘sekretet’ kësaj pune, e ka vërtetuar edhe më parë. Në kohën kur klubet e mëdha japin edhe 70-80 milionë euro për një mbrojtës qendre, ai merr dy të tillë me 7 milionë euro dhe arrin rezultate më të mira.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë