Analize

Për llogaritë e Pano Sakos dhe pak më shumë për pagën

Nga Meri Lika - Të premten, në emisionin “Zonë e lirë”, video e Pano Sakos, e cila shpjegon se sa taksa paguhen me pagën e një individi të punësuar, ndezi debatin në ishin bërë mirë llogaritë apo jo. Nga ky debat, por dhe nga debate që janë transferuar edhe në rrjetet sociale, unë gjykoj se qytetari i thjeshtë, ai që nuk ka studiuar për ekonomi, nuk e ka kuptuar mirë llogarinë.
Si e përfshirë përditë në këto llogari, nuk po bëj një video, por po shpjegoj me mënyrën “e zeza mbi të bardhë”, si funksionon sistemi i llogaritjes së taksave.
Me aq sa unë kam kuptuar, Pano flet për të gjitha taksat që lidhen me një pagë, jo se sa taksa paguan vetëm individi. Pra shpenzimi total që ka një pagë, e ndarë kjo në pagë:

neto + sigurime shoqërore e shëndetësore që paguan individi + sigurime shoqërore e shëndetësore që paguan punëdhënësi + tatimin mbi të ardhurat që paguan individi. Këto janë taksat direkte.

Por paga Neto nuk shkon e gjitha si produkt për individin, por edhe nga kjo pagë NETO, individi paguan taksa dhe tatime nëpërmjet blerjeve dhe pagesave që kryen në një muaj.
Po marrim sërish atë pagën 70.000 lekë të reja NETO

.
Paga 70.000 lekë NETO është një pagë 87.300 lekë të reja BRUTO.
Pra, në listëpagesën e punëdhënësit, individi i punësuar është me një pagë 87.300 lekë (ta lemë Marselën se e mbyti lemza dhe këtej e tutje po e quaj individ ose punëmarrës).

Nga 87.300 lekë vetë individi paguan 17.227 lekë = 9.778 lekë sigurime shoqërore dhe shëndetësore + 7.449 lekë tatim mbi pagën dhe në fund merr 70.000 lekë NETO në bankë (nuk po themi në xhep që të mos deformojmë konceptin e shpenzimit të panjohur që ka ligji për pagat që jepen Cash në dorë). Pra 87.300 – 9778 – 7449 = 70.073 lekë.

Deri këtu askush nuk ka kundërshtime.

Kundërshtitë fillojnë në pjesën e dytë, a duhet të quhet taksë e individit shuma që punëdhënësi paguan për këtë individ?


Sipas gjykimit tim, sigurisht që po. Sepse këto taksa e tatime janë të gjitha të lidhura me këtë pagë.
Ligji për procedurat tatimore, një shoqërie i lejon që për detyrime të papaguara tatimore të lidhë marrëveshje me organet tatimore për të paguar me këste detyrimin e prapambetur, por ligji nuk lejon që mospagesat e sigurimeve shoqërore të jenë subjekt i marrëveshjeve të tilla.
PSE? Sepse sipas logjikës së ligjit këto para shoqëria i ka ndalur nga paga e individit. Unë jam dakord me 11.2%, pra me atë detyrim që ndalet direkt nga paga e individit, por nuk jam dakord me 16.7%, pra me atë detyrim që shoqëria duhet të paguajë për individin. Duke qenë se ligji nuk e ndan këtë koncept, por i trajton të dyja së bashku, atëherë përse llogaritja e shpenzimeve për taksën e një page duhet t’i ndajë?
Atëherë në bazë të ligjit, taksat që paguhen nga dhe për pagën e një punëmarrësi (personi të punësuar) është 11.2% e pagës + 16.7% e pagës + Tatimi mbi pagën.


Në bazë të kësaj logjike kthehemi te paga Neto 70.000 lekë ose Bruto 87.300 lekë. Thamë më sipër që individi paguan 17.227 lekë. Por për pagën bruto 87.300 lekë punëdhënësi paguan 14.579 lekë sigurime shoqërore dhe shëndetësore.

Pra totali i pagesave direkte që lidhen me këtë pagë është 17.227 individi + 14.579 punëdhënësi = 31.806 lekë


Shpenzimi total i një punëdhënësi kundrejt punës që ka kryer një individ është 70.073 lekë+ 31.806 lekë = 101.879 lekë. Pra puna e këtij individi kushton 101.879 lekë. Nga këto individ merr 69% (70.073 lekë) kurse shteti 31% (31.806 lekë).

Tani të kalojmë te pagesat e taksave indirekte.
Individi mori në bankë pagën mujore 70.073 lekë. Me këto para, në një muaj pagoi (të dhënat po i vendosim mesatarisht duke u nisur nga tregu, individin po e trajtojmë që nuk ka makinë, nuk pi duhan dhe nuk pi alkool në mënyrë që të mos e bëjmë më dramatike situatën, si dhe po e lëmë beqar që të mos ia shtojmë blerjet):
1- Qira 20.000 lekë -> nga këto ka paguar 3.000 lekë tatim në burim (15%).
2- Ushqime 24.000 lekë -> nga këto ka paguar 4.000 lekë TVSH (20%).
3- Telefon 2.000 lekë -> nga këto ka paguar 333 lekë TVSH (20%)
4- Ujë 1.200 lekë -> nga këto ka paguar 200 lekë TVSH (20%)
5- Energji elektrike 2.400 lekë -> nga këto ka paguar 400 lekë TVSH (20%)
6- Veshje etj 6.000 lekë -> nga këto ka paguar 1.000 lekë TVSH (20%)
Po e lëmë me kaq shpenzime dhe po bëjmë totalin e taksave dhe tatimeve që individi në mënyrë indirekte ka paguar në një muaj me atë pagën 70.073 lekë që mori.
3.000 tatim në burim + 4.000 TVSH + 333 TVSH + 200 TVSH + 400 TVSH + 1.000 TVSH = 8.933 LEKË mesatarisht.
Këtë shumë ia shtojmë shumës që pagoi direkt individi dhe punëdhënësi i tij 8.933 + 31.806 = 40.739 lekë.
40.739 lekë është shuma që shteti mori direkt dhe indirekt, nga paga 101.879 lekë. Si përfundim mund të themi se shteti merr 40% të pagës së një individi, i cili nuk pi duhan, nuk ka makinë dhe nuk pi asnjë gotë birrë.
A është e thjeshtë llogaria?
A duhet t’i kthejë përgjigje kryeministri një personi i cili 40% të punës së tij e jep për të paguar kryeministrin?
Nuk ka lidhje në është Pano Sako apo Meri Lika që bën llogaritë, rëndësi ka kush paguan kë, dhe kush paguan sa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë