Muzike

Për herë të parë në dekada pllakat e gramafonit shiten më shumë sesa CD-të

Nga Gazeta Si - 41 milionë kundrejt 33 milionëve. Këta nuk janë thjesht numra të hedhur në mënyrë të rastësishme, por është fakti që vjen nga Shtetet e Bashkuara që krijon një parakalim rekord: Pllakat e gramafonit janë shitur më tepër se disqet kompakte (CD).

Kjo bëhet e ditur sipas një raporti të publikuar nga Shoqata e Industrisë së Regjistrimit të Amerikës (RIAA), e cila mblodhi të dhëna për vitin 2022 në lidhje me kopjet fizike të shitura në industrinë e muzikës.

Sipas Shoqatës për Industrinë e Incizimeve në SHBA, më 2022, në territorin amerikan janë shitur 41 milionë pllaka të gramafonit – në vlerë të 1.2 miliard dollarëve – në krahasim me 33 milionë CD, në vlerë të 484 milionë dollarëve.

Ky ishte viti i 16-të radhazi i rritjes së shitjeve, duke llogaritur rreth 71% të të ardhurave të formatit fizik dhe viti i shtatë që të ardhurat nga regjistrimi i muzikës në SHBA u rritën në një nivel rekord, sipas BBC prej 15.9 miliardë dollarësh.

Në raportin e Shoqatës për Industrinë e Incizimeve thuhet se shitjet janë rritur sidomos pas vitit 2021, kur bota ka nisur të ringjallet pas pandemisë së koronavirusit.

Kopjet fizike të projekteve muzikore kanë vazhduar të performojnë më mirë sesa shkarkimet në platformat digjitale, thuhet në raport, sipas së cilit shkarkimet kanë shënuar rënie për 20 për qind.

Këto shifra përbëjnë kontrast të dukshëm me popullaritetin që u është dhënë shkarkimeve digjitale më 2012, kur 43 për qind e fitimeve të industrisë muzikore është gjeneruar prej tyre.

Shefi i Shoqatës për Industrinë e Incizimeve, Mitch Glazier, ka thënë se shitjet rekord të pllakave të gramafonit vitin e kaluar, demonstrojnë se ato po “çimentojnë rolin e tyre në tregun modern të muzikës”.

“Adhuruesit e muzikës duket se nuk po mund të ngopen me kualitetin e lartë të zërit dhe lidhjen me artistët që mundëson pllaka e gramafonit”, ka thënë mes tjerash Glazier, për një medium amerikan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë