Njerez

Pendesat e Bill Gates

Pesë vite më parë Bill Gates paralajmëroi se vrasësi më me potencial të madh me të cilën do të përballet bota nuk do të jetë lufta, por pandemia. Miliarderi ka shpenzuar me qindra milionë dollarë për të gjetur mënyra më të shpejta për të zhvilluar vaksina dhe krijuar sisteme të gjurmimit të sëmundjeve. Ai gjithashtu ka nxitur liderët botërorë të ndërtojnë sisteme mbrojtjeje kombëtare ndaj sëmundjeve të reja infektive.

Duke reflektuar mbi të shkuarën zoti Gates shprehet në një intërvistë, “Do të dëshiroja të kisha bërë më shumë për të vënë në vëmëndjen e njerëzve rreziqet që mund të kanosen prej pandemive. Ndjehem shumë keq. I tërë qëllimi i paralajmërimeve të mia ka qënë që të mund të merrnim masa dhe të minimizohej sa më shumë dëmi”.

Në kartierën e tij të dytë si filantrop dhe bashkëdrejtues i një prej fondacioneve më të pasura në dedikim të shëndetësisë në botë dhe edukimit në Amerikë zoti Gates 64 vjeç e ka vënë veten në qëndër të Covid-19 që ka vrarë më shumë se 283,000 njerëz dhe ka reduktuar në mënyrë të ashpër ekonominë botërore.

Fondacioni Bill dhe Melinda Gates është duke paguar kërkues të ndryshëm për të gjetur trajtime dhe po punon me drejtues ekzekutivë të kompanive farmaceutike dhe qeverive të ndryshme për të prodhuar miliarda doza vaksinash  teksa ato po testohen në mënyrë që të hidhen në treg sa më herët që në momentin e parë që do të aprovohen nga rregullatorët. Fondacioni ka ndihmuar në rezervimin e hapësirave të caktuara në fabrika të ndryshme të prodhimit medicinal në mënyrë që prodhimi i medikamenteve të reja të nisë sa më parë.

Zoti Gates e ka diskutuar shpesh me qeveritarët amerikanë dhe liderët botërorë shkencën e evolimit të pandemisë. Në intervista televizive dhe nëpër postimet e tij të faqes së tij të blogut ai shpjegon logjikën e izolimeve për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të virusit dhe rrugëtimin e avashtë në ngadalësimin e hapjes së bizneseve dhe shkollave. “Covid-19 ka nisur të sillet shumë si patogjeni që rastis një herë në shekull e për të cilin ne kemi qënë të shqetësuar”, shkruan zoti gates në një artikull të shkurtit për revistën mjekësore “New England Journal of Medicine”.

Aktivizmi i tij i madh gjatë pandemisë e ke barë atë shënjestër të teorive konspiracive dhe grupeve që janë kundër vaksinave.

Kampusi i fondacionit të Bill dhe Melinda Gates. FOTO: ELAINE THOMPSON/ASSOCIATED PRESS

Ekspertët e shëndetit publik dhe zhvillimit botëror e kanë kritkuar zotin Gates dhe fondacionin e tij në disa raste për rolet që ai i ka vënë vetes, ndonëse jashtë kompetencës së tij. “Me pasurinë shumë të madhe që ka fondacioni, ka zgjedhur në disa raste se cilat sëmundje të marrin prioritet dhe se cilat të luftohen”, sipas tyre

Zoti Gates kundërpërgjigjet “Ajo se çfarë ne bëjmë është shpenzimi i parave tona dhe ndarjes së opinionit tonë. Nuk e japim ne zgjedhjen përfundimtare”.

Covid-19 sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi i ri ka treguar se mund të limitojë çdo person, përfshirë këtu dhe njeriun e dytë më pasur në botë. “Virusi është gjëja më dramatike që kam përjetuar në jetën tim. Ai ka ndërprerë punën e fondacionit tim në zhdukjen e poliomelitit, të vaksinimit të fëmijëve në vendet e varfëra si dhe të shumë prioriteteve që kisha për një kohë të gjatë, ndonëse financimi i këtyre programeve vazhdon”, shprehet zoti Gates.

Melinda dhe Bill Gates në një video aparencë të 18 prillit. FOTO: GLOBAL CITIZEN/REUTERS

Gjer më tani fondacioni Gates është zotuar të shpenzojë 305 milionë dollarë në kërkimin e vaksinës së Covid-19 dhe në blerjen e ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore për në vendet me të ardhura të ulëta.

Një kërcënim i ri

Zoti Gates dhe gruaja e tij Melinda Gates e kanë themeluar themeluar fondacionin në vitin 2000 me interesin për të gjetur inovacione në fushën e bio-mjekësisë kundër sëmundjeve infektive dhe mënyrave për t’i bërë ato të aksesueshëm për këdo. Në 2014-n fondacioni e fokusoi vëmëndjen në virusin e Ebolës që vrau më shumë se 11,300 njerëz anembanë botës.

“Bota e tëra nuk e ka përgatitjen e duhur për t’u përballur me epidemitë”, është shprehur zoti Gates në një intervistë të nëntorit të 2014-s për Wall Street Journal. Ai e ka dhënë këtë intervistë pasi kishte qënë prezent në një prezantim mbi medikamentet e Ebolës dhe sapo ishte takuar me nje mjek nga Nigeria që kishte mundur t’i mbijetonte infektimit të saj.

Në një monolog të mbajtur në TED Talk në mars të 2015-s zoti Gates ka paralajmëruar se sëmundja infektive nga pandemia paraqet më shumë kërcënim për botën se një luftë nukleare pasi kombet kanë mundur të ndërtojnë sisteme mbrojtëse për këtë të fundit. Ai ka bërë thirrje për një sistem ndërkombëtar paralajmërimi dhe kundërpërgjigjeje me njësi të lëvizshme të personeleve mjekësorë, me diagnostikime të shpejta, me magazinime ilaçesh dhe pajisjesh mjekësore dhe me teknologjitë adekuate të gatshme për të prohuar vaksina në kohë sa më të shkurtër. Zoti Gates kështu i është bashkuar dhe shumë ekspertëve të tjerë në botë të shëndetit që bëjnë thirrje për sisteme më të mira publike të mbrojtjes ndaj shëndetit.

Ai i’u ka shpjeguar risqet e pandemisë kandidatëve presidencialë të 2016-s dhe i ka nxitur ata që ta bëjnë këtë një prioritet kombëtar. Ai gjtihashtu ia ka bërë këtë kërkesë dhe zotit Trump që sapo ishte zgjedhur president,  në një takim me të në kullën Trump gjatë dhjetorit të 2016-s. Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të komentojë mbi këtë çështje.

Në një konferencë mbi sigurinë botërore të 2017-s në Mynih të Gjermanisë, në të cilën diskutohen politika të ndryshme mbi sigurinë ndërkombëtare, zoti Gates është shprehur se parapërgatitja për një pandemi botërore është po aq e rëndësishme sa dhe shkatërrimi nuklear apo katastrofa e klimës, që mund të na kanosen.

Bill Gates duke folur në Konferencën e Sigurisë së Mynihut më 18 shkurt 2017. FOTO: MATTHIAS BALK/DPA/ZUMA PRESS

Në konferencën e Mynihut zoti Gates ka folur mbi mënyrat se si mund të prodhohen vaksinat më shpejtë. Një ide kishte të bënte me përdorimin e komponentëve të gatshëm për të ndërtuar më pas vaksina unike kundër viruseve të reja duke shpëtuar kështu kohë.

Fondacioni gjatë asaj kohe është zotuar të shpenzojë 100 milionë dollarë përmes një koalicioni donatorësh dhe qeveritarësh për finacnimin e vaksinave të reja për sëmundjet e reja infektive. Këto vaksina janë të kushtueshme për t’u zhvilluar si dhe mjaft jo-fitimprurëse  pasi kërkesa për to është sporadike. Tani Koalicioni për Parapërgatitjen e Inovimin ndaj Epidemive është duke financuar zhvillimin e mjaft vaksinave në botë përfshirë dhe të Covid-19.

Zoti Gates është shprehur në disa intervista se liderët botërorë janë të vetmit që disponojnë mjetet për të ngritur sistemet e mbrojtjes ndaj viruseve të ndryshme.

Ai e sheh filantropinë si një katalizator drejt nxitjes së qeverive të ndryshme botërore në ndihmën për të qënë të parapërgatitur në luftën kundër epidemive të ndryshme që i kanosen botës.
Shumë liderë botërorë kanë qënë dakort me të por mungesa e një kërcënimi imediat i ka bërë shumicën e vendeve të hezitojnë të shpenzojne shuma të mëdha parash për pandemi që nuk dihej më parë nëse më të vërtetë mund të vinin në jetët tona. “Do të kisha dëshiruar shumë sikur paralajmërimet e mia dhe të shumë njerëzve të tjerë të kishin çuar në një koordinim botëror më të mirë”, shprehet ai.

I frustruar ndaj pasivitetit të njerëzve anembanë botës mbi parapërgatitjen e një pandemie të mundshme zoti Gates vendosi të shpenzojë më shumë se 20 milionë dollarë për një studim që nisi në 2018-n për të kuptuar mënyrën më të mirë për të ngadalësuar transmetimet e viruseve respiratorë që shkaktojnë pandemitë. Studimi ishte dizenjuar që të gjente mënyra më të mira për t’u testuar ndaj gripit, për të gjurmuar infeksionet duke përdorur shkencën e gjenetikës si dhe për të ndaluar përhapjet e epidemive.

“Kurdo që pyesja mbi viruset respiratore, si psh sa mund të ulet transmetimi nëse mbyllen shkollat apo nëse maskat me të vërtetë ndihmojnë, nuk kisha përgjigje të sakta. Për këtë arsye vendosa ta studioja vetë”, shprehet zoti Gates për Wall Street Journal.

Në mes të janarit kur Kina vuri karantinimin në Wuhan zoti Gates nisi menjëherë të mbledhë shkencëtarët e fondacionit të tij e t’i pyesë se, cilat ilaçe mund të jenë më premtuese ? Sa kohë do të duhet gjersa të kemi një vaksinë ? Dhe se si mund që fonadcioni i tij të mund të ndihmojë në përshpejtimin e nxjerrjes së vaksinës së re ?

Zoti Gates realizoi një takim me epidemiologë dhe ekspertë botërorë të shëndetësisë në mes të shkurtit mbi probabilitetin e përmbajtjes së koronavirusit brenda Kinës. Dhe sipas ekspertëve mundësia që ky virus të qëndronte në Kinë e të mos përhapej në botë ishte më pak se 25%.

Bill Gates dhe një fëmijë që po merr një vaksinë kundër diarresë në Qendrën Shëndetësore Ahentia në Gana në 2013. FOTO: PIUS UTOMI EKPEI/AGENCE FRANCE-PRESSE/GETTY IMAGES

Kur zoti Gates vuri re se virusi po përhapej në shumë vende ai vuri në pikëpyetje kapacitetet e kompanive farmaceutike për të testuar njerëzit ndaj koronavirusit si dhe për të nxjerrë vaksina ndaj tij.

Në fund të shkurtit kërkuesit në zonën e Siatëllit zbuluan në një testim gjaku të një adoleshenti se ishte i prekur nga koronavirusi. E studimet e mëtejshme zbuluan se ky nuk kishte qënë rasti i parë e se me shumë mundësi virusi ishte përhapur në këtë zonë. Gjatë të njëjtës javë zyrtarët e shëndetësisë zbuluan një valë të re infektimesh me covid-19 në Kirkland të Washington DC në një azil të moshuarish, që ishte veçse 11 milje larg shtëpisë së zotit Gates.

Pas shumë vitesh paralajmërimi për një pandemi vdekjeprurëse që mund t’i kanosej planetit zoti Gates u përball më të në lagjen e tij.

Misioni i financimit

Gjatë javëve të fundit zoti Gates është qortuar nga komentatorët e lajmeve dhe portalet e ndryshme të lajmeve se puna e tij bamirëse ëshët bërë me qëllimin për të fshirë imazhin e tij si një kapitalist i pashpirtë.

Disa postime në Facebook aludojnë e kanë përhapur teori se ai dëshiron të instalojë mikroçipe tek njerëzit për të gjurmuar ata që kanë rezultuar pozitiv ndaj covid-19. Gjithashtu një tjetër teori konspirative thotë se ai përfiton nga kjo krizë pandemie.

Një zëdhënëse për zotin Gates shprehet se çifti është zotuar të japë pjesën më të madhe të pasurisë së tyre prej 106 miliardë dollarësh fondacionit të tyre bamirës përpara se të vdesin. “Këto teori konspirative dhe keqinformime janë plotësisht false’, shprehet ajo

Zoti Gates ka marrë shumë kriticizëm në një postim në twitter të 15 prillit  në të cilin mbron OBSH-në. Kjo përgjigje e tij erdhi pas anoncimit të Presidentit Donald Trump se administrata e tij do të ndërpresë financimin e OBSh-së në mënyrë që të rishikohet kualiteti kësaj të fundit përsa i përket kundërpërgjigjes ndaj covid-19. Fondacioni Gates është donatori i dytë më i madh i OBSH-së pas ShBA-së.

Në një intervistë zoti Gates ëshët shprehur se, “Ne jemi mes një pandemie në të cilën OBSH-ja po luan një rol shumë të rëndësishëm, madje ata duhen mbështetur akoma e më shumë”.

Fondacioni Gates nisi me misionin për të reduktuar pabarazinë rreth botës duke përmirësuar si fillim sistemin shëndetësor dhe atë arsimor. Fondacioni u fokusua në investimet ndaj sëmundjeve infektive pasi në këtë fushë ka shumë pak përfitim për kompanitë farmaceutike të investojnë për ilaçe krahasuar me kancerin dhe në sëmundjet e tjera kronike. Fondacioni ka shpenzuar rreth 235 milionë dollarë në parapërgatitjen ndaj nje pandemie të mundshme që prej gushtit të 2014-s, krahas 305 milionë dollarëve që ka shpenzuar veçse për covid-19.

Liderët qeveritarë dhe zyrtarët e shëndetit publik janë duke ndjekur parashikimet e covid-19 nga Instituti i Matjeve dhe Vlerësimeve Shëndetësore nga Universiteti i Washingtonit i cili financohet gjithashtu nga fondacioni Gates. Instituti e ka thuajse dyfishuar projeksionin e numrit të vdekjeve në ShBA në 137,184 gjer në fillim të gushtit.

Bill Gates gjatë një telefonate konferencë në lidhje me Fondin Botëror për të luftuar AIDS, Tuberkulozin dhe Malarien më 9 tetor të vitit të kaluar në Lyon, Francë. FOTO: JEFF PACHOUD/AGENCE FRANCE-PRESSE/GETTY IMAGES

“Shpresoj shumë që liderët botërorë që kanë në përgjegjësi mbrojtjen e qytetarëve do të mësojnë nga kjo tragjedi dhe do të investojnë në sisteme për të ndaluar shpërthime të ardhshme epidemish që i kanosen planetit tonë”, shprehet ai. Burimi: Wall Street Journal. Përshtati në shqip Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë