Motosport

Pele nderon Hemiltonin: Mezi pres të të shoh të fitosh titullin e tetë

Mbreti i futbollit nderon mbretin e Formulës 1. Edson Arantes do Nashimento, i njohur nga e gjithë bota si Pele, ka dashur të përgëzojë Ljuis Hemiltonin për fitimin e titullit të shtatë kampion bote, që e barazon me nivelin e Mikael Shumakerit.

“Mezi pres të të shoh që të fitosh edhe titullin e tetë, - ka shkruar braziliani në Instagram. – Komplimente dhe vazhdo të luftosh për të gjithë ne. Ky djalosh më pëlqen, sepse i do shumë garat, siç bënte edhe miku im i madh Shumaker”.

Ljuis Hemilton. Gazeta Si, 17 nëntor 2020

Pele ka qenë i ftuar në gara të ndryshme të zhvilluara në Brazil. Në vitin 2002 iu dha detyra të valviste flamurin me kuadrate, por u shpërqendrua dhe humbi pikërisht mbërritjen triumfuese të Shumakerit. Në vitin 2006 ishte Pele ai që para nisjes së garës i dorëzoi gjermanit një trofe për mbylljen e karrierës.

“Është një nder i madh, - thoshte në atë kohë Pele, - të përfaqësoj të gjithë brazilianët në këtë moment. Mikael është një shembull i madh për gjeneratat e reja dhe nuk do të harrohet kurrë. E falënderoj për gjithë lumturinë që u ka dhuruar njerëzve në gjithë botën“. Fjalë që sot braziliani i ka transferuar te Hemiltoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë