Futboll

Pele kurorëzon Kristiano Ronaldon: Më i miri sot, “O Rey” nuk ka më

Kush është futbollisti më i madh i të gjitha kohërave? Vështirë, për të mos thënë e pamundur, të japësh një përgjigje precize, sepse shijet janë të ndryshme dhe ata që kanë bërë histori në sportin më popullor në botë janë jo pak.

Të krahasosh epoka të ndryshme të futbollit është si të lëvizësh në dy botë paralele. Për këtë arsye, Pele në debatin e pafund për më të fortin e të gjitha kohërave preferon të përqendrohet tek e tashmja. Kush është më i miri? ”Ka shumë ekuilibër, - përgjigjet “O Rey” -, por më duket se sot Kristiano Ronaldo është më stabël, ka vazhdimësi prej të paktën 10 vjetësh në këtë nivel të lartë". Një vlerësim shumë i rëndësishëm për CR7, pasi vjen nga goja e atij që konsiderohet ndër më të mëdhenjtë, në mos më i madhi.

Numrat e futbollistit portugez të Juventusit janë impresionues, por edhe futbolli ka ndryshuar shumë. Kur ngacmohet sërish nga gazetari brazilian për më të madhin e të gjitha kohërave, Pele e kalon me një batutë. Kristiano më i mirë edhe se Pele? "Duhet të themi të vërtetën: babai im dhe nëna ime e kanë mbyllur fabrikën, Pele nuk do të ketë më”. Më mirë kështu. Në fund të fundit, është normale që secili nga më të mëdhenjtë e futbollit mendon se është më i miri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë