Ne rrjet

“Pegasus” përgjoi Princeshën Latifa, nën kontroll për të shmangur arratisjen nga Dubai

Përdorimi i softuerit “Pegasus” mund të shpjegojë dështimin e përpjekjes për arratisjen nga Emiratet e Bashkuara Arabe të Princeshës Latifa Al-Maktoum, një nga vajzat e Emirit të Dubait, Mohamed Ben Rachid Al-Maktoum.

Në shkurt 2018, Princesha 32-vjeçare Latifa, dukej se ishte afër ëndrrës për të lënë Emiratet dhe për të kërkuar azil politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jashtëzakonisht e pasur, por e burgosur ‘de facto’ në shtetin e udhëhequr nga babai i saj, Latifa ishte drejtuar tek një ish-agjent francez i shërbimit, Hervé Jaubert, një biznesmen dhe kapiten i jahtit me vela “Nostromo”.

Plani i arratisjes ishte kompleks dhe me sa duket i menduar mirë: Latifa u fsheh në bagazhin e një makine tip “Audi Q7” dhe kaloi kufirin me Omanin. Pastaj ajo hipi në një makinë tjetër, tip “Jeep”, që e çoi në bregdet, ku një gomone e nxorri atë në det.

Në fund, një motor uji e çoi atë drejt jahtit “Nostromo”, i cili po e priste jashtë ujërave territoriale dhe i cili ishte gati të drejtohej për në Sri Lanka, vendi i parë pritës me synimin për një transferim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Akti i parë i planit ishte braktisja e telefonit celular në tualetet e restorantit “La Serre”, në Dubai, me shpresën se nuk do të gjendej në vendndodhje. Sot, rezultatet e hetimit nga 16 media ndërkombëtare të koordinuara nga organizata jofitimprurëse “Forbidden Stories”, mbi abuzimin e softuerit “Pegasus”, duket që tregojnë se në orët pas këtij gjesti, numri i Princeshës Latifa ishte përfshirë në listën e “Pegasus” dhe mbi të gjitha u vunw nwn kontroll të gjitha kontaktet e saj.

Bëhet fjalë për bisedat, postat elektronike, mesazhet e ËhatsApp-it, Telegram-it, çdo e dhënë e pranishme në celularët në shoqërimin e saj dhe për këtë arsye të ekipit që po e ndihmonte të shpëtonte: trajneri i saj i hedhjes me parashutë, Juan Mayer, shoqja e saj Lynda Bouchikhi, mësuesi i matematikës, Sioned Taylor, instruktorja e saj finlandeze e arteve marciale, Tiina Jauhiainen.

Kështu ndodhi, kur një natë, “Nostromo” po i afrohej Goa-s në Indi dhe të gjithë në bord ishin në gjumë, forcat speciale indiane të ndihmuara nga ata të Emirateve sulmuan jahtin, duke përdorur bomba tymuese dhe duke shënjestruar pamjet me lazer në fytyrat e pasagjerëve në bord.

Lutja e Princeshës Latifa, "më vrisni këtu, por mos më ktheni përsëri", nuk u mor në konsideratë. Tre vjet më vonë, Latifa u rishfaq në një foto të bërë në Dubai, në tavolinat e një lokali në një qendër tregtare me mikun e saj Sioned Taylor, ndoshta një përgjigje indirekte ndaj Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara, i cili kërkoi nga Emiratet Arabe provën e ekzistencës në jetë të Latifës.

Haya Al-Hussein, gruaja e gjashtë e Emirit të Dubait, babai i Latifas dhe vajza e mbretit Hussein të Jordanisë, gjithashtu është vënë nën kontroll përmes softuerit përgjues “Pegasus”.

Ndryshe nga Latifa, Princesha Haya, arriti të ikë në Britaninë e Madhe me dy fëmijët e lindur nga marrëdhënia me emirin, Al-Maktoum, i cili i bëri apel gjykatave britanike, duke denoncuar rrëmbimin e fëmijëve të tij.

Gjyqi, në mars të vitit 2020, u kthye në një akuzë për metodat e dhunshme të Emirit. Al Maktoum u gjet përgjegjës për burgosjen e vajzës së tij Latifa dhe gjithashtu për rrëmbimin e vajzës tjetër, Shamsa, e cila u arratis nga vila e familjes pranë Kembrixhit në Britani, por u kap nga agjentët e dërguar nga emiri.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë