Politike

PD: Venecia, shuplakë për mazhorancën

Partia Demokratike e interpreton vendimin e Komisionit të Venecias sa i takon shkeljes apo jo të Kushtetutës nga ana e Presidentit Ilir Meta si “shuplakë” për mazhorancën. Nënkryetari i demokratëve, Edi Paloka thotë se Venecia u rrëzoi bojën kllounëve të Edi Ramës.

“Kërkuan të përdornin Komisionin e Venecias si “mashë” që Rama të mos i fuste duart në zjarrin që ka ndezur vetë. Raportin e Venecias kërkonin ta përdornin jo vetëm për të justifikuar nismën për shkarkimin antikushtetues të Presidentit, por dhe për t’i dhënë legjitimitet 30 qërshorit, një procesi që tanimë është rrëzuar tërësisht nga OSBE-ODIHR, të vetmet organizata që kanë kompetencën për të vlerësuar proceset zgjedhore”, shkruan Paloka.

Nënkryetari i PD thotë se Rama përdori Ballën dhe Spiropalin, që sipas tij sot duhet të ishin në bankat e të akuzuave.

“Të dy këta duhet të ishin sot në bankën e të akuzuarve për një sërë skandalesh, aferash korruptive e lidhjesh kriminale të faktuara mëse një herë. Por, ndërkohë këta jo vetëm përfaqësojnë qeverinë përpara institucioneve ndërkombëtare, po vazhdojnë të flasin për parime, për drejtësi e ju shesin moral shqiptarëve nga ekranet e televizioneve. Sigurisht që Rama di kë të zgjedë për raste të tilla. Dy më të diskretituarit e një maxhorance të diskredituar tërësisht”, thotë Paloka.

Sipas opozitës, Venecia nuk dha opinionin që shpresonte mazhoranca.

“Pasi dolën bllof, madje dhe të fshikulluar nga Venecia; pasi nuk morën raportin që shpresonin ta përdornin për qëllimin e tyre, shpallën me gojën e Ballës dhe Spiropallës se “pavarësisht raportit të Komisionit të Venecias” komisioni i Ulsiut do të vazhdojë dhe do të zbatojë detyrën që i ka caktuar “lideri” i këtyre të treve. Po shpejt drejtësia do të rikthehet në këtë vend dhe të gjithë do të japin llogari për mëkatet e tyre”, deklaron Paloka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë