Politike

PD vë alarmin: Policia e Shtetit po ushtron terror ndaj banorëve të “Astirit”

Partia Demokratike ka akuzuar përmes një deklarate për shtyp kryeministrin Edi Rama për terrorin që sipas saj po ushtrohet ndaj banorëve të Unazës së Re.
Me urdhër politik të Edi Ramës, citohet në deklaratë, njeriut që kishte planifikuar vjedhjen e 40 milion eurove në aferën e Unazës së Re, Policia e Shtetit po ushtron terror ndaj banorëve të Unazës së Re, medias dhe përfaqësuesve politik të opozitës.

Për Partinë Demokratike, e njëjta Polici që nuk lufton krimin dhe drogën, ka mobilizuar me qindra forca me dhe pa uniformë për të arrestuar, në mënyrë të paligjshme, dhjetëra banorë të Unazës së Re, që mbrojnë shtëpitë e tyre nga shkatërrimi.

Partia Demokratike ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të dhunës shtetërore ndaj banorëve të Unazës së Re, ndalimin e menjehershëm të arrestimeve të paligjshme që po u bëhen burrave dhe grave të Unazës, që mbrojnë shtëpitë e fëmijeve të tyre.

“Banorët e Unazës së Re nuk kanë kryer asnjë krim. Ata nuk janë vrasës, trafikantë droge apo hajdutë të pasurive publike. Ata janë njerëz të lirë, që me dinjitet dhe vendosmëri ushtrojnë një të drejtë themelore – të drejën e tubimit paqësor.”- thotë Partia Demokratike duke vijuar më tej se urdhëruesit dhe ekzekutorët e aktit banditesk të arrestimit politik të qytetarëve do të përballen me forcën e ligjit. Në burg do të përfundojë secili prej tyre që sot u heq lirinë në mënyrë antikushtetuese protestuesve të Unazës së Re.

Partia Demokratike thotë se përfaqësuesit e saj do të jenë përkrah banorëve të Unazës së Re.
PD përmes deklaratës së saj i ka kërkuar edhe Prokurorisë që të zbatojë ligjin dhe të vërë përpara përgjegjësisë penale cdo punonjës policie, që në vend të ligjit, respekton urdhrin politik të paligjshëm të Edi Ramës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë