Lajme

PD: Vangjush Dako i ka bërë llogaritë gabim

PD ka vijuar me akuzat në drejtim të Vangjush Dakos.  Deputetja e Partisë Demokratike, Valentina Duka, në një deklaratë për mediat nga selia blu ka sulmuar sërish qeverinë Rama, duke sjellë në vëmendje “dosjen 339” dhe përfshirjen e Vangjush Dakos në blerje votash në Durrës.

Deputetja demokrate tha se ai i fshihet opinionit publik, por kjo nuk do të thotë se u shpëton akuzave në dosjen 339.

“Vangjush Dako është fshehur nga opinioni publik me shpresën se duke mos u shfaqur para qytetarëve, duke heshtur dhe duke mos dhënë llogari, krimi i tij elektoral do të harrohet.

Vangjush Dako i ka bërë llogaritë gabim! 

As fshehja, as heshtja, as pazaret e tij okulte që ai bën me Edi Ramën dhe prokurorinë, nuk mund të prishin provat e krimit të tij, blerjes së votave me bandat. 

Përgjimet në dosjen 339 janë me qindra. Ato që kanë dalë deri tani janë vetëm fillimi.

Përgjimet në dosjen 339 nxjerrin zbuluar bashkëpunimin e Vangjush Dakos me bandën e Avdylajve për të vjedhur votat në Qarkun e Durrësit, në këmbim të favoreve në Bashkinë e Durrësit dhe deri në Kryeministri.

Biseda e shkurtit 2017 me Altin Avdylajn, me nofkën Niçja, të cilit i premton favore,e provon këtë.

Biseda e Dakos me Niçen për të falënderuar kreun e bandës, Astrit Avdylaj, dy ditë pas zgjedhjeve e provon këtë. 

Telefonatat e bandës drejtuar Dakos, kur rrethohet nga forcat e FNSH-së e provon këtë”, tha ndër të tjera deputetja Duka.     


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë