Në një deklaratë për mediat, deputetët e PD-së Jorida Tabaku dhe Endri Hasa denoncuan se një tender prej 15 milion eurosh i është dhënë një kompanie kroate në kushte të mistershme, tender që vendos monopolin e kontrollit të faturimit mbi biznesin.
Tabaku tha se PD po mbledh informacione se kush fshihet pas kompanisë kroate që mori dhuratë tenderin 15 milion euro.
“Në një garë fasadë me një kompani që nuk plotëson kriteret. Kriteret e tenderit janë korruptive, siç paralajmëroi PD, ato ishin llogaritur për t'iu përshtatur kësaj kompanie. PD po merr informacionin e nevojshëm se kush qëndron pas kësaj kompanisë, megjithatë mund të thuhet se kjo aferë korruptive e çon Shqipërinë një hap pas në luftën ndaj korrupsionit si një kusht themelor për nisjen e negociatave me BE.
Tenderi prej 15 milion eurosh që ju dhurua një kompanie kroate në kushte tërësisht të mistershme është provë se korrupsioni në qeverinë Rama i ka rrënjet e thella. Tenderi korruptiv me fitues të paracaktuar është thjesht vazhdim i skandalit që ne denoncuam tre vite më parë për dhënien me koncesion të sistemit të TVSH, që siç rezultoi ishte me një kompani kineze e lidhur me vëllain e kryeministrit Rama.
Tek ky tender korruptiv që vendos monopolin e kontrollit të faturimeve të biznesit qytetarët po shohin përditë kalbëzimin e qeverisë Rama. Kjo qeveri po shet Shqipërinë copa-copa tek klienti i radhës. Gjatë qeverisjes së Edi Ramës shqiptarët kanë paguar shtesë 3.7 miliard euro taksa të rritura pa marrë asgjë mbrapsht.
Çdo gjë ka shkuar për tenderë korruptivë. PD i siguron shqiptarët se me paketën antimafia askush nuk do të gëzojë asgjë të fituar përmes korrupsionit dhe lidhjeve me pushtetin. Me paketën antimafia çdo tender si ky i sotmi, çdo koncesion, çdo leje ose licencë korruptive do të anulohet”, tha ndër të tjera deputetja Tabaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.