Politike

PD: SPAK të hetojë pa vonesë “339” dhe “184”

Partia Demokratike kërkon që SPAK të hetojë pa vonesë dosjet e shitblerjes së votës 339 dhe 184, pavarësisht se kjo e dyta u transferua nga ish-Krimet e Rënda për në Prokurorinë e Dibrës, pasi sipas vlerësimit të prokurorëve nuk kishte elementë të një grupi të strukturuar kriminal në shitblerjen e votës.

“Demokratët janë përballur me bandat më të rrezikshme që, në bashkëpunim me Edi Ramën, Vangjush Dakon, Artur Bushin, Ilir Ndraxhi, Rrahman Rrahja, Elton Arbana, i kërëconin me bukën e gojës, me heqjen nga puna, me prishjen e biznesit, me sigurinë e familjes. Dosja 339 na tregoi egërsinë me të cilën pushteti dhe bandat blejnë votat për Edi Ramën. Është detyrë e SPAK-ut të hetojë pa vonesë dosjet e blerjes së votave, 339/1 dhe 184. Ndëshkimi i atyre që kanë vjedhur votat është 1 nga 9 kushtet e Bundestagut për nisjen e negoiatave”, deklaroi nga Durrësi, ku ishte në një takim me strukturat e partisë, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

Bardhi thotë se sakrifica e mbështetësve të opozitës dhe qytetarëve të ndershëm nuk ka për të shkuar dëm.

“Ne jemi bashkë për të punuar derisa të sigurojmë zgjedhje të lira e të ndershme, që votat e shqiptarëve të mos preken nga Edi Rama, Vangjush Dako, Artur Bushi dhe banditët e tyre”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë