Partia Demokratike ka denoncuar rastin e dy shkollave në Bubq dhe Pezë, shkolla të braktisura dhe pa investime që u shembën nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit.
Partia Demokratike thotë se qeveria nuk ka asnjë plan për rindërtimin e tyre.
“Tërmeti i 26 nëntorit, përveç vjedhjeve dhe abuzimit me fondet për rikonstruksionin e disa shkollave, ka nxjerrë në pah edhe e braktisjen nga qeveria të shkollave në zonat rurale”, thotë PD.
Përfaqësuesit e PD, Çlirim Gjata, Astrit Veliaj dhe Flamur Hoxha sollën në vëmendje dy shkolla të tjera që janë në listën e objekteve të shembura dhe të caktuara për shembje, përkatësisht shkolla e mesme e bashkuar në Bubq dhe ajo në Pezë.
Të dyja shkollat kanë rreth 700 nxënës, por për rikonstruksionin e tyre nuk është kujdesur askush, duke i lënë të rrënohen me kalimin e kohës dhe të dëmtohen plotësisht nga tërmeti, i cili, për fat të mirë nuk ra në kohën e mësimit të fëmijëve.
Tani, 700 fëmijë detyrohen të shkojnë shumë larg për të ndjekur shkollën, ndërsa qeveria, 5 javë pas tërmetit, nuk ka bërë ende publik një plan për rindërtimin e tyre.
Çlirim Gjata, sekretar për çështjet ligjore në PD, në fjalën e tij tha se shkolla e mesme e Bubqit është shembur pa pritur hetimet. Në këtë shkollë nuk është bërë asnjë investim.
“Jemi tek shkolla e mesme e bashkuar e Bubqit, ku ka 280 nxënës nga mosha 6-18 vjeç. Në këtë shkollë nuk është bërë asnjë investim, asnjë rikonstruksion. Shkolla është shembur, është jofsunkionale dhe e kanë shembur pa pritur hetimet. Ne kemi dëgjuar rreth muajit shtator ministren e arsimit që ka thënë: ‘ne nuk do të investojmë për shkolla ku ka 7, 10, 15 apo 20 nxënës, sepse nuk ia vlen. Nuk do t’i hyj kësaj deklarate absurde, se pse ata 5 ose 10 nxënës nuk paskan të drejtën e arsimimit, kjo është çështje tjetër, po këtë që ka pasur 280 nxënës, ku e ka rikonstruksionin, invesgtimin, riparimin, interesimin? Po të kishte ndodhur ditën çfarë katastrofe humanitare do t’u ndodhte fëmijëve?! Ngutja për të zhdukur gjurmët si në Thumanë, rasti që është zhdukur gjithçka këtu, nuk kemi asnjë interesim, megjitjëse është shkollë e mesme e bashkuar me 280 nxnënës. Këta fëmijë i ka shpëtuar Zoti në një lloj kuptimi.
Këta 280 nxënës janë dërguar në Fushë Krujë për të vazhduar mësimin dhe është vënë një autobus që i merr në qendër dhe i kthen, fëmijët e vegjël që e kanë shkollën pasdite lihen vetëm natën 6-10 vjeç dhe shkojnë në çadrat e tyre, kodra me rrugë e pa rrugë dhe kjo kërkon një kujdes dhe masë”, u shpreh ndër të tjera Gjata.
Po ashtu, Gjata tha se “duke parë gjithë këtë abuzim, korrupsion, shkolla të shkatërruara nga tërmeti menjëherë pas rikonstruksionit, të shembura të zhdukura për të mos lënë asnjë gjurmë, zhduket dokumentacioni i riparimeve i tenderimeve dhe rikonstruksionit, nuk dihet ku është; shkolla pa marrë asnjë masë, të lëna në mëshirë të fatit, terrene të tëra me banim dhe shkolla pa asnjë studim, pa asnjë interesim se çfarë ndodh në rast të një fatkeqësie, të lënë në dorë të Zotit”.
Ndërsa, ish-deputeti Astrit Veliaj, në shkollën 9-vjeçare të Pezës tha se kjo shkollë ka dalë jashtë përdorimit nga tërmeti dhe se nxënësit po e zhvillojnë mësimin në Vaqarr larg familjeve të tyre.
“Këtu jemi në Pezë Helmës, në shkollën 9-vjeçare të Pezës. Sigurisht, ka dalë jashtë përdorimit nga tërmeti i fundit. U bënë 31 ditë që qeveria nuk po hedh sytë nga kjo shkollë ku 400 nxënës bëjnë shkollën në Vaqarr, larg familjeve të tyre. Detyrohen të zgjohen më herët dhe të vijnë edhe më vonë nga shkolla. Me sa shohim, kjo qeveri nuk e ka me prioritet arsimin, nuk e ka zhvillimin e vendit. Çdo komb i qytetëruar në botë ka prioritet arsimin, me sa shohim këtu, me këtë qeveri prioritet janë oligarkët të cilëve nuk ua heq ato 150 mln euro e të investojë në shkolla”, u shpreh ish-deputeti.
Ndër të tjera, ai tha se duhet të investohet në arsim, pasi është e ardhmja e kombit.
“Ky fshat këtu ka nevojë, përveç shkollës 9-vjeçare, për një shkollë të mesme, sepse duhet largohen për të bërë shkollën e mesme me dhjetëra km në një shkollë tjetër, pasi këtu nuk ka shkollë të mesme.
Duhet investuar në arsim sepse është e ardhmja e kombit. Kjo qeveri nuk e ka prioritet arsimin, ka prioritet oligarkët, të ndajë paratë me oligarkët, me njerëzit që hanë e pinë me ta dhe nuk I hedhin sytë nga njerëzit e varfër”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.