Politike

PD, Salianji: Rama hesht për Kajmakun, sepse ndan miliona euro nga tenderat

Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se po hesh ndaj çështjes së kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji deklaroi se me gjithë këto prova të pakundërshtueshme, Kajmaku i Rilindjes fshihet pas rreshtave të mashtrimit të Edi Ramës, i cili me kodin mafioz të heshtjes, mbron të inkriminuarin me të cilin është ulur në sofrën e pushtetit.
“Edi Rama prej 10 ditësh nuk ka thënë asnjë fjalë për mollën e kalbur nxjerrë nga shporta e krimit që mban në dorë. As ai dhe as Kajmaku i tij nuk thonë dot asnjë fjalë për fotografinë e njëjtë në dy pasaporta, sepse fytyra e vërtetë e krimit është në dy pasaportat e një njeriu të vetëm: Agim Kajmakut alias Jorgo Toto, personi që është arratisur nga Greqia. Edi Rama nuk flet më, sepse Jorgo Toto është Agim Kajmaku, njeriu me të cilin ndan miliona euro para publike me tendera e koncesione”, deklaroi Salianji.
Sipas PD-së, Kajmaku duhet të ishte i pandehur bashkë me Valdrin Pjetrin, por prokuroria e kapur për fyti nga Edi Rama nuk zbaton ligjin.
“Prokuroria hesht dhe në vend të fletës së arrestit për Kajmakun, nis letra për Partinë Demokratike duke i kërkuar provat që i ka në sistemin TIMS. Prokuroria nuk zbaton kodin penal dhe ligjin e dekriminalizimit për të vënë para drejtësisë të kërkuarin në Greqi, i cili ka trafikuar para të falsifikuara dhe mashtruar në formularin e dekriminalizimit. Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi para banorëve të Vorës për kandidimin e një të kërkuari nga drejtësia për bashkinë e tyre. Agim Kajmaku duhet të largohet nga zyra e zaptuar paligjshmërisht në bashkinë e Vorës. Edi Rama, hesht për Kajmakun e radhës sepse ashtu si çdo organizatë kriminale, edhe grupi i strukturuar kriminal i Rilindjes, zbaton kodin mafioz të heshtjes, "omerta". Omerta për të gjithë kriminelët me të cilët ai erdhi dhe mbron pushtetin”, theksoi demokrati.
Sakaq Salianji paraqiti si zgjidhje të krizës politike zhvillimin e zgjedhjeve të tjera për pushtetin vendore dhe njëherësh ato parlamentare. Kjo sipas tij duhet të realizohet nëpërmjet krijimit të një qeverie tranzitore.
Kajmaku i ka hedhur poshtë akuzat e opozitës, ndërsa prokuroria e ka thirrur kryebashkiakin e Vorës për të marrë gjurmët e gishtave. Opozita ka denoncuar dy kryebashkiakët e rinj, Valdrin Pjetri dhe Agim Kajmaku, si të dënuar në Itali dhe në Greqi. Pjetri pas akuzave u detyra që të deklaronte dorëheqjen duke mos marrë mandatin e kryebashkiakut. Ndërsa për Kajmaku çështja ka mbetur në shqyrtim nga organet e prokurorisë për të vërtetuar të kaluarën e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë