Në një kohë që Partia Socialiste akuzon opozitën për lobimin rus, PD i është përgjigjur duke i rikujtuar foton me ish-Presidentin Barak Obama.
Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj, në një dalje për mediat nga selia blu thotë se Rama dështon me akuzat që i bën opozitës, pasi vetë kryeministri duhet të merret i pandehur, sepse shuma 80 mijë dollarë për foton me Obamën vjen nga një burim i paligjshëm.
“Edi Rama po dështon në strategjinë për të akuzuar opozitën për punët e pista që bën vetë. Dështoi me prokurorinë që e mbajti nën kontroll 2 vjet për një akuzë qesharake dhe të gënjeshtërt për të sulmuar Partinë Demokratike dhe liderin e opozitës.
Dështoi me shqiptarët që e kanë bërë personazh mallkimesh dhe barsoletash, dështoi me mediat ndërkombëtare prestigjioze.
Të gjithë këta, shqiptarët, media dhe prokuroria politike e dinë për fakt të vërtetë, të provuar nga drejtësia amerikane, se fotoja e Edi Ramës me Barack Obamën është kryer përmes një kontributi të paligjshëm prej 80 mijë dollarësh”, u shpreh Alibeaj.
Më tej, Alibeaj tha se pas dënimit të dy bashkëpunëtorëve për financimin e paligjshëm të fotos 80 mijë USD me Barack Obamën, Rama duhet të merret si i pandehur.
“Të gjithë e dinë së për atë foto, Edi Rama u paraqit si gruaja e shtetasit amerikan Bilal Shehu, i cili sot është i dënuar nga drejtësia amerikane, bashkë me shtetasin tjetër amerikan, William Argeros, për përdorimin e fondeve të huaja në zgjedhjet amerikane.
Dy prej tyre janë tashmë të dënuar nga drejtësia Amerikane. I treti, Edi Rama, vijon të jetë mbi ligjin”, tha ish-deputeti.
Ai ndër të tjera tha se “shuma prej 80 mijë dollarësh vjen nga një burim i paligjshëm dhe nuk është deklaruar as nga Edi Rama, as nga Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.