Lajme

PD: Rama shantazhon gjyqtarin e Strasburgut. Biba: Gjithçka sajesë

Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit të një audiopërgjimi mes Denar Bibës dhe gjyqtarit shqiptar në Strasburg Ledi Bianku, ku ky i fundit sipas Bashës shantazhohet nga Biba, në emër të sekretarit të Kryeministrisë Engjëll Agaçit, për çështjen e pronave. Vetë nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Denar Biba ka reaguar pasi ka dëgjuar emrin e tij të lakohet në akuzat e opozitës, duke e konsideruar gjithçka një sajesë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka quajtur “skandal të përmasave europiane” shantazhin e bërë nga Denar Biba. 

Sipas Bashës, është më se e qartë që qeveria e Ramës tashmë funksionon si grup mafioz.

“Një audio regjistrim ku dëgjohet shkoqur sesi gjyqtari shqiptar në Strasburg, Ledi Bianku, shantazhohet në emër të Engjëll Agaçit, sekretarit të përgjithshëm të kryeministrit dhe krahut të djathtë të Edi Ramës, që të ndikojë vendimet e pronave në favor të qeverisë, është prova më tronditëse në këto 28 vjet, që e fakton qeverinë e Edi Ramës si një organizatë tipike mafioze.

Audio regjistrimi i Denar Bibës, aktualisht nënkryetar i KQZ dhe kandidat për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, është prova më e pakundërshtueshme sesi e ka projektuar Edi Rama drejtësinë e re për shqiptarët.

Pasi ka vënë nën kontroll të plotë gjykatat dhe prokurorinë shqiptare, Edi Rama ka kërcënuar edhe shantazhuar  gjyqtarin shqiptar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas regjistrimit audio të publikuar nga media, Denar Biba, në emër të Engjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, ka shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Strasburg, që të bëjë kompromis me Qeverinë në kurriz të të drejtave të pronarëve shqiptarë.

Kërcënimi është i qartë: Nëse nuk zbaton porosinë e Edi Ramës ‘pas përfundimit të mandatit do të mbetet pa punë dhe se sakrifica për të zbatuar me korrektësi ligjin nuk do t’i shërbejë për asgjë’.

Me këtë gjuhë tipike mafioze, i dërguari i Engjëll Agaçit, pra i Edi Ramës, i kujton gjyqtarit shqiptar në Strasburg se:  ‘ky tren, pra mundësia e për të bërë pazar me Qeverinë, nuk do t’i vijë më në jetë’”, shprehet Basha.

Kryedemokrati Basha i ka bërë thirrje kryeministrit Rama që të dorëzojë përpara drejtësisë dy personazhet në fjalë.

“Sot prokuroria duhet të kish nisur menjëherë procedimin penal ndaj Engjëll Agaçit dhe Denar Bibës për shantazh ndaj gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut dhe duhej të kishte njoftuar publikun për një hap të tillë.

Por kjo nuk ndodh sa kohë kemi një Prokurori të kapur nga Edi Rama dhe njerëzit e tij të lidhur kokë e këmbë me krimin.

Me vënien e tyre para përgjegjësisë penale, një prokurori që u shërben qytetarëve dhe jo mafias, do të provojë atë që dimë të gjithë, se urdhëruesi i kërcënimit të gjyqtarit shqiptar në Strasburg, është vetë Edi Rama.

Asgjë tjetër nuk e justifikon dot heshtjen e Edi Ramës, i cili sot duhet shkarkojë nga detyra Engjëll Agacin dhe Denar Bibën e tja dorëzojë drejtësisë”, përfundoi Basha.

Ndërkohë, nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba sqaron se biseda është e manipuluar dhe i ka kërkuar PD-së që ta publikojë bisedën e plotë. Ai shprehet se me gjyqtarin Bianku ka lidhje familjare, por që asnjëherë nuk ka kërkuar ndikimin e tij në Strasburg.

“Më ka thirrur Agaçi  dhe në pozicionin e ekspertit të asistoj zotin Niko Peleshin dhe përfaëqësuesë të tjerë të asistonim zotin Peleshi me njohuritë tona, në një grup zyrtar në Gjykatën e Strasburgut për të shtyrë afatin. Ky veprim kishte ndodhur edhe më herët, ne kemi qenë bashkë me Peleshin dhe me të tjerë ku në kafenenë e Gjykatës takoj mikun tim, Ledi Bianku.  Në atë bisedë fare miqësore s’bëhet fjalë për shantazhe, pasi ai është i pashantazhueshëm. Ai s’kishte gjë në dorë. Është e paimagjinueshme për mua. S’ka asgjë për mua, më pyeti për karrierën, unë e pyeta. I kërkova një mendim, më pyeti pse isha unë pjesë e e delegacionit. I dhashë të dhënat, më dha mendimin e tij. Më ka pyetur si ka shkuar karriera ime, i thashë që isha vendosur në KQZ. I kam thënë që me porosi të kryeministrit, zoti Agaçi më ofroi të vija. Biseda është transformuar dhe është prerë. Ky është një manipulim i pastër. Është e pamundur që dikush të shantazhohet megjithëse s’ka asgjë në dorë. Nuk mund të ndodhte. Mjafton të dalë biseda e plotë dhe e pacensuruar, dhe do kuptohet se ka qenë një bisedë mes dy miqsh, që diskutuan me njëri-tjetrin si do procedonte shteti shqiptar në këtë gjyq. Ta gjejë opozita të plotë audion e të dalë në konteksinë e saktë biseda. Në qendër të bisedës ishte fakti që unë kisha shkuar atje. Kush përfiton nga e gjithë kjo?”, shprehet Biba.

Më herët, portali “exit.al”, i drejtuar nga një këshilltar i kryedemokratit Lulzim Basha, publikoi një audiopërgjim ku pretendohet se nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, i ka kërkuar gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, Ledio Bianku, që të ndikojë pranë kësaj gjykate në lidhje me çështjet e pronave të qytetarëve shqiptarë.

Portali thekson se bëhet fjalë për një bisedë të vitit 2014, ku Denar Biba i shpjegon Ledio Biankut se e ka dërguar Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrit.

“Më mori Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, e më thotë ç’e ke Ledi Biankun? Më thonë që nga të gjithë këta që kemi afër, ti e ke më afër”, dëgjohet në materialin audio.

Përgjimi duket se është ambiental dhe nga zhurma duket se biseduesit ndodhen në një ambient publik. Në një moment, shpjegon “exit.al”, Denar Biba i tregon bashkëbiseduesit se çfarë i kërkon qeveria shqiptare.

“Tha që kemi këto problemet. E di ti, gjithë kjo historia që do të kërkohet shtyrja. Të lutem, tha, t’i lutesh të na gjendet në gjithë këtë histori”, dëgjohet të thotë Biba.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë