Politike

PD: Rama sabotoi Gjykatën Kushtetuese kërkon të kap drejtësinë

Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama se përtej deklaratave publike për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese ka si synim ose kapjen, ose të pengojë ngritjen dhe rikthimin në funksion të kësaj gjykate.

“Edi Rama nuk ka për qëllim të respektojë Kushtetutën për krijimin e Gjykatës Kushtetutese. I vetmi qëllim i Edi Ramës është ai që ka patur prej fillimit - të kapë organet e reja të drejtësisë. Ai po e bën këtë haptazi me Gjykatën Kushtetuese, duke shkelur ligjin dhe Kushtetutën në mënyrë flagrante për të paracaktuar anëtarët e rinj të saj, njësoj siç paracakton fituesit e tenderave. Në të kundërt, ai është gati ta bllokojë dhe të fusë në ngërç ngritjen e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata.

Gjata i referohet përplasjes së fundit mes Presidencës dhe Kuvendit dhe e cilëson antikushtetuese zgjedhjen e dy anëtarëve njëherësh nga ana e parlamentit, ashtu siç e ka vendosur në kalendarin e punimeve Kuvendi i Shqipërisë.

“I gjithë procesi ka patur makinacionet e veta teknike të pista, antiligjore për të çuar në përfundimin që do Edi Rama, por akti më antikushtetues i tij është emërimi i paracaktuar i anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta e Shqipërisë e thotë qartë se për të ruajtur balancën mes pushteteve në Gjykatën Kushtetuese, anëtarët e saj zgjidhen me radhë, i pari nga Presidenti, i dyti nga Kuvendi, i treti nga Gjykata e Lartë. Por Edi Rama ka vendosur ta shkelë Kushtetutën nesër, duke zgjedhur 2 kandidatë njëherësh. Një akt që do të çojë, ose në kapjen e Gjykatës Kushtetuese, ose në bllokimin e saj”, tha ai.

PD hedh akuza të drejtpërdrejta ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, që e cilëson vegël të Edi Ramës.

“Nëpërmjet veglës së tij Ardian Dvorani në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi ka imponuar një proces të paligjshëm dhe antikushtetues. Rama dhe Dvorani tentuan të detyrojnë Presidentin të zgjedhë sërish një anëtar nga lista e tij me 4 emra, kur, sipas Kushtetutës radha i takonte Parlamentit”, vijoi Sekretari për Çështjet Ligjore në PD.

Opozita mendon se të gjitha veprimet dhe qëndrimet antikushtetuese të mazhorancës të çojnë tek qëllimi për kapjen politikisht të Gjykatës Kushtetuese, ose delegjitimimin e saj.

“Duke shkelur Kushtetutën, Edi Rama është përgjegjës për një përplasje të re kushtetuese, që për pasojë do të këtë bllokimin e Gjykatës Kushtetuese nga Edi Rama dhe ëvnien në pikëpyetje të legjitimitetit të saj. I gjithë procesi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese është kryer nga KED dhe Ardian Dvorani në shkelje të ligjit. Tani, me përfshirjen e Parlamentit në shkeljen e hapur të Kushtetutës nga Edi Rama, Partia Demokratike vlerëson se ky akt është i papranueshëm dhe dëmton besimin e publikut tek organet e reja të drejtësisë dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese”, mbylli deklaratën e tij, Çlirim Gjata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë