Politike

PD: Rama po shfrytëzon tragjedinë për t’i mbyllur gojën medias

Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama se po shfrytëzon fatkeqësinë natyrore dhe gjendjen e emergjencës për të mbyllur mediat kritike me Qeverinë dhe kërcënuar gazetarët.

“Të shfrytëzosh këtë fatkeqësi për të mbyllur portale, faqe Facebook e rrjete të tjera sociale dhe të kërcënosh gazetarët nga mëngjesi në darkë vetëm pse janë kritikë me qeverinë dhe sjellin zërin e qytetarëve të lënë në harresë dhe pa asnjë ndihmë, është kriminale”, deklaroi përmes rrjeteve sociale, kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Basha shton se kjo është mënyrë për të mbytur zërin e qytetarëve dhe të vërtetës që vjen përmes mediave dhe portaleve të ndryshme. Ai kërkon nisjen e hetimeve për dhunimin e fjalës së lirë.

“Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet për dhunimin e fjalës së lirë nga qeveria. Me Kushtetutë dhe ligj kjo përbën një krim të rëndë që duhet ndëshkuar”, deklaroi kreu i PD-së.

Reagimi i opozitës mbërriti pas mbylljes së dy portaleve dhe të “Brryli Broadëay” në Facebook, i famshëm për satirën dhe memet e publikuara, që në të shkuarën kanë tërhequr edhe vëmendjen e vetë Kryeministrit Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë