Lajme

PD: Rama nuk dha asnjë shpërblim për 34 mijë mësues

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, në një deklaratë për mediat është shprehur se kryeministri Rama nuk ka dhënë asnjë shpërblim për fundin e vitit për 34 mijë mësues në arsimin parauniversitar, ndërkohë paguan 105 milionë euro për koncesionet e oligarkëve.
“Qeveria e Edi Ramës ka vendosur një rekord të ri në keqtrajtimin, përçmimin dhe denigrimin e mësuesve gjatë këtyre 5 viteve të fundit. Që kur ka ardhur në pushtet e deri më sot, Edi Rama nuk ka dhënë asnjë shpërblim për fundin e vitit për 34 mijë mësues në arsimin parauniversitar.
Edhe këtë vit, qeveria që paguan 105 milionë euro për koncesionet e oligarkëve, nuk ka asnjë qindarkë për të shpërblyer mësuesit e Shqipërisë”, shprehet Boçi.
Sipas tij, në këtë mënyrë qeveria shkel kontratën kolektive të firmosur mes Ministrisë Arsimit dhe Sindikatave dhe kjo tregon se arsimi nuk është prioritet i Ramës.
“Duke mos u dhënë shpërblimin e fundvitit 34 mijë mësuesve, qeveria shkel kontratën kolektive të firmosur mes Ministrisë Arsimit dhe Sindikatave. Në nenin 10 të kontratës thuhet se ‘punëdhënësi, që në këtë rast është qeveria, u njeh sindikatave të drejtën për shpërblimin vjetor të mësuesve në sistemin publik parauniversitar’. Mburrja e Edi Ramës se po bën shtet vlen vetëm për mashtrimin e shqiptarëve nëpërmjet makinerisë së tij të propagandës. Në të vërtetë, kryeministri po u mohon 34 mijë mësuesve të Shqipërisë një të drejtë të fituar me ligj. Mungesa e shpërblimit për mësuesit është reflektim i braktisjes së arsimit nga qeveria. Edi Rama nuk e ka prioritet arsimin dhe këtë e faktoi në çdo drejtim protesta e studentëve”, vazhdoi më tej deputeti demokrat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë