Politike

PD: Rama mbron Lefter Allën

Partia Demokratike deklaron se mosveprimi i drejtësisë ndaj kreut të Bulqizës, Lefter Alla, që dyshohet se është personi që shfaqet në një video të publikuar në media duke konsumuar, në dukje kokainë, lidhet drejtpërdrejtë me mbrojtjen që i ofron Kryeministri Edi Rama kryebashkiakut socialist.

“Kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës duhej të ishte shkarkuar sot nga Edi Rama. Drejtësia duhet të kishte vepruar duke nisur ndaj tij ndjekjen penale për moskallëzim krimi, pasi është faktuar se kryetari i bashkisë bashkëpunon me individë apo grupe që tregtojnë kokainë. Asnjëra nuk ka ndodhur nga këto të dyja, sepse Edi Rama i Bulqizës ka mbrojtjen e Edi Ramës së Tiranës. Kandidimi në 30 Qershor i individëve me të shkuar kriminale apo personave të lidhur me krimin e organizuar është strategjia e Edi Ramës për të vazhduar bashkëqeverisjen me krimin”, deklaroi ish-deputeti i PD-së, Gent Strazimiri.

Strazimiri tha gjithashtu se kjo është rrjedhojë e kapjes së drejtësisë nga Edi Rama.

“Edi Rama i Bulqizës nuk është arrestuar ende, sepse Edi Rama i Tiranës e ka kapur drejtësinë. Prokurori që duhet të vepronte pret vettingun nga e motra e Belinda Ballukut, pret emërimin nga kunati i Mimi Kodhelit dhe i trembet inspektimit nga vëllai i Eglantina Gjermenit! Të tre, në pozicionet më të rëndësishme të sistemit, të emëruar në mënyrë të njëanshme dhe të paligjshme nga Edi Rama i Tiranës. Kapja e drejtësisë dhe shndërrimi i Partisë Socialiste në një strehë për horrat dhe banditët janë dy prej plagëve më të mëdha që Edi Rama i ka shkaktuar vendit”, vijoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë