Lajme

PD: Rama “dorovit” njerëzit e tij me tendera

Partia Demokratike thotë se edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dalë në përfundimin e nxjerrë në raportet e tyre institucione ndërkombëtare, si Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Gjykata Europiane e Auditit përsa i përket korrupsionit dhe tenderave.

Sipas PD-së, një në tre tendera jepen pa konkurrencë.

“Me fjalë të tjera kjo do të thotë se korrupsioni është në nivele alarmante dhe se qeveria e Edi Ramës është kampione e korrupsionit”, deklaroi drejtuesja e Departamentit të Antikorrupsionit në PD, Lealba Pelinku.

PD përkthen në shifra dëmin e shkaktuar si pasojë e mungesës së konkurencës në shpenzimin e parave publike.

“Qeveria e Edi Ramës i ka dhënë klientëvë të saj ne 1 vit 70 milionë euro pa garë, duke rritur në mënyrë alarmante këtë procedurë korruptive në krahasim me vitin e parë të qeverisjes. Mënyra tjetër për të grabitur paratë publike është pjesëmarrja në tender e vetem 1 kompanie. Edhe në këtë procedurë korruptive konkurenca ka munguar plotësisht në 30 për qind të rasteve, duke paracaktuar fituesin e preferuar të qeverisë për ndarjen së bashku te miliona eurove të tjera nga taksat”, deklaroi Pelinku.

Grafik i publikuar nga PD për shifrën e tenderave të dhëna pa garë përgjatë 2017

Në rast shkeljeje të rregullave të garës në një tender, ligji u njeh kompanive pjesëmarrëse ankimimin. Por, sipas PD, kompanitë janë nën shantazhin e qeverisë dhe nuk ankohen.

“Nëse ankohen, rezultati i vetëm është futja në listën e zeze të Engjëll Agaçit, Sekretari të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Njeriu që bën punët e pista të Edi Ramës ka marrë nën kontroll të plotë Komisionin e Prokurimit Publik, institucion që, në vend të trajtonte me drejtësi abkesat e biznesit, është kthyer në noter të korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës”, vijon deklarata e Selisë Blu.

Opozita thotë se nëse do të ishin respektuar rregullat e garës, përgjatë 2017 do të ishin kursyer 44 milionë euro nga taksat e shqiptarëve, ndërsa akuzon qeverinë edhe për shpërdorim të fondeve për dekorime luksi.

“Ndërkohë që çdo ditë mbyllen 45 biznese, varfëria rritet dhe 133 mijë nxënës kane braktisur shkollën, kampionët e babëzisë dhe korrupsionit kanë blerë 229 milionë euro makina, karburant, bileta avioni, fasada të mjerimit urban, pajisje për zyra e komoditete të tjera për luksin e tyre”, vijoi më tej drejtuesja e Departamentit Antikorrupsion në Partinë Demokratike.

PD premton se me ardhjen në pushtet jo vetëm që do të rishikojë ligjin e koncesioneve, por edhe do të anulojë koncesionet, sipas saj, abuzive dhe përmes zbatimit të ligjit antimafia do t’u kthejë shqiptarëve paratë e vjedhura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë