Partia Demokratike ka sulmuar ashpër qeverinë me pretendimin se kjo e fundit ka nxjerrë një vendim që skualifikon kasat ekzistuese fiskale dhe detyron bizneset të pajisen me kasa të tjera.
Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së, Endri Hasa, tha se kostoja e këtij vendimi korruptiv të qeverisë është nga 600-1000 euro për çdo biznes.
Sipas PD-së, nga 1 herë në ditë, bizneset detyrohen të transmetojnë çdo shitje në kohë reale, një funksion që kasat ekzistuese nuk e kanë.
“Buxheti i vitit të ardhshëm nuk do të jetë kostoja e vetme që do të paguajnë bizneset si faturë e korrupsionit të kudogjendur të qeverisë së Edi Ramës.
Çdo biznes duhet të bëhet gati për të nxjerrë nga xhepat nga 600 – 1000 euro si faturë për vendimin korruptiv të qeverisë për sistemin e menaxhimit të faturimit të bizneseve.
Paralajmërimi i Partisë Demokratike, që kur denoncoi për herë të parë aferën korruptive, duke deklaruar edhe fituesin e paracaktuar kroat, tani është bërë realitet.
Ministri i Korrupsionit, Arben Ahmetaj, mund të bëjë propagandë nga mëngjesi deri në darkë dhe të gënjejë paturpësisht shqiptaret se kasat fiskale nuk do të ndryshojnë, por e vërteta është se pak ditë më parë qeveria ka miratuar një vendim që, praktikisht, skualifikon kasat ekzistuese.
Aktualisht, kasat fiskale janë të programuara të transmetojnë të dhëna vetëm 1 herë në ditë, kur biznesi mbyll xhiron, por me VKM Nr. 651, qeveria ka ndryshuar karakteristikat teknike për pajisjet fiskale, duke futur si kriter shtesë – ‘transmetimin e çdo shitjeje në kohë reale në sistemin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve’”, tha ndër të tjera deputeti demokrat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.