Politike

PD publikon dokumentin e ri: Babani u arrestua edhe në ’96-n

Partia Demokratike ka publikuar sot një dokument të ri që tregon sipas saj arrestimin dhe dëbimin e përsëritur të kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Mark Babani. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, Mark Babani u arrestua në Itali në vitin 1996 me emrin Fatmir Babaj.
“Partia Demokratike ka siguruar dokumente të tjerë, që provojnë përtej çdo dyshimi se përfaqësuesi i Edi Ramës në Vaun e Dejës është një kriminel dhe si i tillë duhet të ndëshkohet sipas ligjit. Përveç dokumentit për arrestimin në 1994-ën me një emër tjetër, dënimin, burgosjen dhe dëbimin nga Italia për vjedhjen e makinave në Siçili nga Mark Babani, Partia Demokratike disponon dokumente që Mark Babani ka përdorur një identitet tjetër të rremë për të hyrë në Itali 2 vjet më vonë, në 1996-ën. Dokumenti që po paraqesim, që gjithashtu është nxjerr nga sistemi shtetëror i burgjeve në Itali, ka një element plus, të cilin Mark Babani nuk mund ta mohojë. Në këtë dokument është fotografia e tij me emrin Fatmir Babaj. Në vitin 1996, me këtë identitet të rremë, krimineli i Edi Ramës në Vaun e Dejës, ka tentuar të hyjë në Itali, pasi ishte dëbuar për vjedhjen e makinave, por është arrestuar sërish nga policia italiane”, shprehet Bardhi nga selia blu.
Bardhi thotë se siç faktojnë dokumentet që PD disponon, Mark Babani u dëbua për herë të dytë brenda dy vjetëve nga Italia.
“Dokumentet që po bëjmë sot publike janë autentike. Foto në sistemin italian të burgjeve, provon se Fatmir Babaj i vitit 1996, është i njëjti me Marq Babaj e vitit 1994, dhe ekzaktësisht i njëjti person me Mark Babanin, kandidatin e Edi Ramës për Bashkinë e Vaut të Dejës”, u shpreh ndër të tjera Gazmend Bardhi.

Dokumenti i PD-së që tregon arrestimin dhe dëbimin e përsëritur të kryebashkiakut Mark Babani

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë