Politike

PD: Pse pakti me PS është fitorja jonë

Zërat qortues ndaj Partisë Demokratike mbi marrëveshjen e arritur me socialistët këtë të martë për reformën zgjedhore nuk kanë munguar. Njëri prej tyre është edhe Jozefina Topalli, që e cilësoi më të keqe se marrëveshja e 17 majit 2017.

Por, Partia Demokratike këmbëngul se marrëveshja e nënshkruar është një fitore e saj dhe se reagimet negative janë pjesë e propagandës kundër opozitës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, pasi thotë se “propaganda është më e ethshme se asnjëherë për të mbuluar thelbin e asaj që u arrit me ndërmjetësimin e partnerëve ndërkombëtarë”, Gazment Bardhi rendit tre arsye.

“1.Reforma zgjedhore nuk do të diktohet nga qeveria e votave të blera. 2.Vendimet për reformën zgjedhore do të marren me konsensus jashtë Parlamentit ilegjitim. 3. Parlamenti është vetëm noter formal i vendimeve të tryezës politike”, shkruan ai.

Sa për praninë e Damian Gjiknurit në këtë tryezë, PD ja pason ‘sikletin’ socialistëve dhe kërkon prej Qeverisë heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

“Përfaqësimi në tryezën e reformës zgjedhore me një nga arkitektët e blerjes së votës është në turpin e PS. Në dorën tonë nuk është të zgjedhim kundërshtarin, por të bëjmë çdo gjë për zbatimin e reformës zgjedhore, që çon vendin drejt zgjedhjeve. Në dorën e qeverisë është të heqë gjendjen e jashtëzakonshme dhe t’u hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme”, mbyll reagimin e tij Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë