Lajme

PD: Prokuroria të hetojë Bego-Balla

Partia Demokratike ka vijuar sërish me akuzat ndaj deputetit socialist, Taulant Balla për lidhjen e tij me biznesmenin Edmond Bego.

Këshilltari ligjor i PD-së, Gazmend Bardhi, në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së tha se biznesmeni Bego u fuqizua në sektorin e ndërtimit pas miqësisë familjare që lidhi me Taulant Ballën.

“10 milionë euro të përfituar nga punimet në rrugën Tiranë Elbasan. 1 miliard lekët për ndërtimin e nënstacionit të Librazhdit. 3 miliardë lekë në disa punë të tjera publike kryesisht në Elbasan”, tha Bardhi sot, duke theksuar se 14 milionë euro në total nga buxheti i shtetit janë fakte të mjaftueshme që prokuroria të nisë kryesisht hetimin për të provuar se Balla ka bërë rolin e sekserit për shumëfishimin e pasurisë së trafikantit të drogës, kompania e të cilit, para miqësisë familjare me Taulant Ballën, ishte në prag falimenti dhe 2 herë nën sekuestro.

Bardhi ka vijuar më tej me akuzat, duke thënë se “përfitimi i miliona eurove nga miku i dënuar për trafik droge i Taulant Ballës është bërë në kundërshtim të hapur me ligjin për prokurimin publik”.

Ai kërkoi në emër të PD-së që Prokuroria të nisë “procedim pasuror ndaj Edmond Begos, si dhe procedim penal për të hetuar tenderët publikë që ai ka fituar, kush ka ndërmjetësuar me organet shtetërore që t’i japin mikut të Taulant Ballës tendera dhe miliona euro nga paratë e shqiptarëve, në kundërshtim të hapur me ligjin”.

Sipas Bardhit Taulant Balla ka detyrimin t’u shpjegojë shqiptarëve:

Si qenka ligji i njëjtë për këdo, kur ai nuk zbatohet për mikun e tij?

A e ka ndihmuar ai mikun e tij Edmond Bego, të dënuar për pjesëmarrje në organizata kriminale të përfitojë tendera publikë në kundërshtim me ligjin?

Kush i ka detyruar dhe ka ndërmjetësuar me organet shtetërore që t’i japin mikut të Taulant Ballës tenderë dhe miliona euro nga paratë e shqiptarëve, në kundërshtim të hapur me ligjin?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë