Politike

PD përgatitet për zgjedhje të dyfishta, diskuton dhe protestat

Lulzim Basha ka mbledhur në selinë e Partisë Demokratike kryesinë dhe ish-grupin parlamentar të kësaj partie, një ditë pas mbledhjes që organizoi me kryetarët e degëve të partisë.

Diskutimet janë përqëndruar tek riorganizimi i strukturave të Partisë Demokratike, si nevojë e domosdoshme pas dorëzimit edhe të pushtetit lokal, por edhe si përgatitje për zgjedhje të dyfishta të parakohëshme. Në tryezë është edhe propozimi për rikthimin në protesta, por është vendosur që format dhe afatet të përcaktohen në një moment të dytë për të shmangur shfokusimin nga çështjet kryesore që janë aktualisht në vëmendje: fazën finale të zgjidhjes së krizës politike dhe procesi i integrimit europian.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga selia blu në mbledhjen me kryetarët e degëve, Basha u ka lënë porosi këtyre të fundit që të përgatiten menjëherë për zgjedhje.

“Vendi është në një krizë të thellë shumëplaneshe dhe detyra e PD dhe opozitës është të angazhohet seriozisht për të qenë pranë njerëzve dhe për t’i hapur rrugë perspektivës europiane të Shqipërisë. Opozita ka dhënë propozimet e veta për zgjidhjen e krizës në vend, që kalon përmes zgjedhjeve të njëkohëshme parlamentare dhe lokale të parakohshme, me qeveri tranzitore që garanton standardet për zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, thuhet në njoftimin e PD.

Vendimi që është marrë është që pranë, Partisë Demokratike do të ngrihet shtabi qendror elektoral dhe politik, ndërsa në terren shtabe që do të shtrihen në mënyrë piramidale në të gjithë vendin.

Një tjetër porosi e lënë nga Basha ka qenë hapja e partisë. Nuk dihet nëse në kuadër të këtij vendimi, Eduart Selami u pa të shtunën të rikthehej në Selinë Blu.

“Puna do të përqëndrohet në planin e ofrimit të zgjidhjes për qytetarët, denoncimeve për aferat korruptive dhe kriminale të Qeverisë, bashkimi i faktorëve dhe aktorëve me potencial njerëzor dhe eletoral pranë PD, si dhe hapja e partisë për njerëz me integritet profesional e moral”, thotë PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë