Lajme

PD nxjerr shifrat: Rama i ka dhënë të vëllait monopolin e bixhozit

Pas vendimit të Presidentit Ilir Meta për të rikthyer në Kuvend ligjin për tatimin e lojërave të fatit, kanë vijuar reagimet nga opozita. Deputetja demokrate, Jurida Tabaku, në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së ka denoncuar kryeministrin Edi Rama se i ka dhënë të vëllait monopolin e kontrollit të tregut të bixhozit, duke fituar miliona euro nga numri i lartë i pikave të basteve.

“Katërfishimi i pikave të basteve në Shqipëri nuk është thjesht një marrëzi e Edi Ramës, por është një plan korruptiv i mirëmenduar për t’i dhënë vëllait të tij, Olsi Rama miliona euro fitime nëpërmjet koncesionit  të mbikëqyrjes së lojërave të fatit. Në shkelje të çdo ligji, kontrata e koncesionit nuk është bërë kurrë publike nga Ministria e Financave, ndërkohë që ajo vazhdon akoma të fshehë sa do rëndojë në buxhetin e shtetit ulja e taksave për bixhozin. Ajo që dihet deri tani është se me ligjin e vitit 2015, Edi Rama i detyron pikat e basteve të bëjnë pagesat e mirëmbajtjes së sistemit jo në shtet, por te kompania koncesionare. Kjo do të thotë se sa më shumë pika bastesh operojnë në Shqipëri, aq më shumë është fitimi i kompanisë koncesionare, që zyrtarisht operon në emër të ortakut të vëllait të kryeministrit. Kjo është arsyeja se pse janë katërfishuar numri i pikave të basteve”, u shpreh Tabaku.

Më tej, ajo është ndalur te premtimi i kryeministrit Rama për t’i mbyllur pikat e basteve, por ajo u shpreh se pikat e basteve janë katërfishuar në katër vjet.

“Në 2013 ishin 928 pika bastesh dhe katër vjet më pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, ashtu siç paraqitet dhe në grafik, sot janë 4230 pika bastesh. Ai që përbetohej dikur për mbyllje të pikave të basteve dhe mashtronte shqiptarët se ishte kundër bixhozit, e ka përdorur këtë vetëm për t’i dhënë vëllait të tij monopolin e këtij tregu”, tha ajo.

Gjithashtu, ligji i jep Olsi Ramës monopolin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të tregut të bixhozit, duke e dhënë me koncesion shërbimin te një kompani e vetme, e cila, sipas ligjit korruptiv të vitit 2015 do ta ketë këtë të drejtë për 30 vjet.

“Nga njëra anë ligji përcakton se asnjë qindarkë nga tarifa e mirëmbajtjes së pikave të basteve nuk shkon në buxhetin e shtetit dhe nuk përdoret për interes publik, por mbush me miliona euro kompaninë koncesionare. Nga ana tjetër i jep monopolit të mbikëqyrjes dhe kontrollit të bixhozit, duke e dhënë shërbimin me koncesion te një kompani e vetme, sipas ligjit korruptim të 2015-ës, për një të drejtë prej 30 vitesh. Ky është momenti i duhur për të sjellë në vëmendje se me ligjin e 2015-ës për lojërat e fatit, të cilët e shtynë dy herë hyrjen në fuqi, Edi Rama jo vetëm nuk i largoi pikat e bixhozit nga qytetet dhe shkollat, por u uli atyre taksat në mënyrë të ndjeshme. Kur ligji të hyjë në fuqi në janar të 2019-ës tatimi mbi fitimin e biznesit të bixhozit nuk do të jetë më 25 % siç ka qenë, por është gati përgjysmuar në 15 %.  Edi Rama po e shtyn prej tre vitesh hyrjen në fuqi të zbatimit të këtij ligji për t’i dhënë mundësi zgjerimit të pikave të basteve, ashtu siç ka ndodhur në 5 vitet e fundit”, vazhdoi më tej Tabaku.

Në fund ajo bën thirrje që Partia Demokratike do të anulojë çdo koncesion që është monopol nga ata që organizojnë krimin në mënyrë që çdo qindarkë e krimit të organizuar të kthehet te qytetarët shqiptarë.

“Partia Demokratike është e angazhuar që të anulojë çdo ligj selektiv, çdo koncesion që është monopol dhe favorizim nga ata që sot organizojnë krimin e organizuar dhe po pastrojnë paratë në ekonomi. Rishikimi i ligjit antimafia do të sigurojë që çdo qindarkë e krimit të organizuar dhe korrupsionit të kthehet te qytetarët shqiptarë”, e mbylli fjalën e saj Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë