Politike

PD nxjerr prova të reja: Zgjedhjet e 30 qershorit u manipuluan

Partia Demokratike ka publikuar sot prova, që sipas saj, tregojnë se si u manipulua nga Partia Socialiste procesi i votimit të 30 qershorit. Nëpërmjet ish-deputetit të PD-së, Oerd Bylykbashi, PD bëri me dije se disa nga provat që tregojnë manipulimin janë: fletët e votimit janë marrë në grup, janë plotësuar fletë votimi bosh, janë mbushur kutitë e votimit nga komisionerët socialistë.
“Janë shkelur standardet ndërkombëtare për zgjedhjet. Ishte një proces i organizuar vetëm nga Partia Socialiste dhe zgjedhësit u detyruan me dhunë që të votojnë. Ne kemi prova për manipulim skandaloz të numërimit. Rezulton se grupet e numërimit dhe KZAZ-të kanë manipuluar shifrat nga numërimi”, u shpreh ndër të tjera ish-deputeti Oerd Bylykbashi.

Bylykbashi ndër të tjera u shpreh se pavarësisht shkeljeve të rënda që janë vërejtur, ende asgjë nuk është hetuar.
“Kemi parë shkelje të llojeve të ndryshme. Fletët e votimit janë marrë në grup, janë plotësuar fletë votimi bosh në tavolinat e numërimit. Fletët nuk janë drejtuar nga kamerat. Provat janë përpara prokurorisë, por nuk është marrë asnjë veprim për të nxjerrë të vërtetën. Ne kemi këtu sot edhe procesverbalet nga numërimi. Disa fletë votimi ishin edhe pa vula”, u shpreh ish-deputeti.
Ish-deputeti theksoi faktin e manipulimit të votave në disa KZAZ.
“Është rritur numri i votuesve në disa KZAZ. Në KZAZ-në nr. 62 në Urën Vajgurore numri i votuesve është 5958 dhe është manipuluar në 8035. Në Pogradec është 15487 numri i votuesve dhe është manipuluar në 17986”, është shprehur Bylykbashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë