Politike

PD nxjerr fotot: Kajmaku dhe Toto, i arrestuari në Greqi, janë i njëjti person

Për Partinë Demokratike Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto janë i njëjti person dhe sot nxori dokumente me foto të pakontestueshme si provë sipas saj. Ish-deputeti i PD-së, Gent Strazimiri doli përpara medias duke theksuar se Kajmaku, i njohur ndryshe edhe si Jorgo Toto është arrestuar në në Greqi duke bërë biznes me para të falsifikuara dhe se me emrin e ndryshuar nëpërmjet falsifikimit, është person në kërkim në shtetin fqinj.
“Sot do të paraqesim një tjetër fakt që rrëzon çdo mashtrim të Agim Kajmakut se nuk është Jorgo Totoja i arrestuar në Greqi. Ky dokument, i marrë nga sistemi TIMS (dokumenti 1) është me foton e Jorgo Totos në pasaportën me nr. Z 0148497, me të cilën dhe është arrestuar. Dokumenti i dytë është po ashtu i nxjerrë nga sistemi TIMS tregon pasaportën me emrin Agim Kajmaku, por me të njëjtën foto si edhe Jorgo Toto në pasaportën me të cilën është arrestuar. Krahasimi i dy fotove që janë të të njëjtit person, vërteton se personi i kërkuar nën emrin Jorgo Toto, në fakt është Agim Kajmaku. Provat janë të pakontestueshme dhe Agim Kajmaku apo Jorgo Toto duhet të largohet dhe të merret i pandehur për veprën e tij penale të kryer në shtetin grek dhe për veprën penale të mashtrimit me deklarimet e formularit të dekriminalizimit”, deklaroi Strazimiri.

Dy dokumentet e nxjerra nga PD ku vërtetojnë se Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto janë i njëjti persona


Ish-deputeti demokrat akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka preferuar ta mbrojë Kajmakun, edhe pse prej disa ditësh, PD ka publikuar vendimin e drejtësisë greke për arrestimin e Jorgo Totos, emër ky i përdorur nga Agim Kajmaku gjatë aktivitetit të tij të biznesit në vitet 2000 në Greqi.
“Kajmaku fshihet pas alibive të rrëzuara duke iu afruar gjithnjë e më shumë burgut, ndërsa Edi Rama hesht, duke mbrojtur zgjedhjen e tij kriminale për qytetarët e Vorës. Pavarësisht se si Jorgo Toto, Agim Kajmaku kërkohet prej vitesh nga drejtësia greke, Edi Rama e vendosi përmes votimeve moniste në krye të bashkisë së Vorës. Madje Edi Rama duke qenë se i ka të preferuar të inkriminuarit në pushtetin e tij, vendosi ta mbrojë Jorgo Kajmakun, duke sajuar lloj-lloj alibish që Partia Demokratike i ka rrëzuar me prova të pakontestueshme”, theksoi Strazimiri.

Dokumenti i nxjerrë nga PD


Akuzat e opozitës, Kajmaku i ka hedhur poshtë, duke deklaruar se nuk ka qenë ndonjëherë i dënuar në shtetin fqinj. Madje si kundërpërgjigje ndaj pretendimeve të opozitës, Kajmaku botoi foton e pasaportës, me të cilën ai shprehet se nuk është e vërtetë se prej vitesh nuk e kaluar kufirin me Greqinë.
“Unë s’jam arrestuar dhe s’jam dënuar në Greqi po kam bërë punë me emër tjetër si gjithë shqiptarët. Po të isha në kërkim s’do hyja dhe dilja sipas qejfit! Prandaj le të hyjë Luli dhe le të dali Gaz Bardhi sa të dojë duke i ra fyllit me një vrimë, se rëndësi ka e vërteta. E vërteta është me mua dhe unë jam me të vërtetën! Shume shpejt do gjejnë një babale tjetër, se babale mua s’më bëjnë dot”, reagoi Kajmaku.

https://www.facebook.com/Agim.Kajmaku/photos/a.419153618635827/469749370242918/?type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë