Politike

PD nis procesin e vettingut të kandidatëve për deputetë

Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave në Partinë Demokratike është duke kaluar në fazën tjetër të procesit, që ka të bëjë me vettingun e rreth 1 mijë emrave që do të marrin dritën jeshile për të vazhduar garën.

Gazeta “Si” mëson se procesi i përzgjedhjes së emrave ka përfunduar për të gjitha qarqet, me përjashtim të Tiranës, që është lënë me qëllim për në fund për shkak të numrit më të madh të kandidaturave të propozuara nga baza gjatë fazës së parë të procesit të zhvilluar në muajin korrik.

Krahas shqyrtimit të kandidaturave të mundshme të Tiranës, Komisioni i Vlerësimit po u dërgon përmes postës elektronike një mesazh kandidaturave të përzgjedhura për fazën tjetër në 11 qarqet e tjera të vendit.

Në mesazhin në fjalë, emrat e përzgjedhur për më tej njoftohen për këtë rezultat, bashkë me udhëzimin për të plotësuar me shkrim të qartë një formular vetëdeklarues. Bëhet fjalë për një proces, i ashtuquajtur “Vetting” i kandidaturave, ku subjektet duhet të japin përgjigje për një mori pyetjesh, që nga gjeneralitetet, e deri tek pyetja nëse kanë patur ndonjëherë probleme me drejtësin.

Pjesë e vetëdeklarimit bëhen edhe familjarë të afërt të kandidaturave. Në të kërkohet që të plotësohen të dhëna për bashkëshortin/bashkëshorten, vëllezërit, motrat dhe prindërit. Kërkohet gjithashtu me detaje edhe vendbanimi dhe nëse kandidati ka ushtruar, apo ushtron ende aktivitet biznesi.

Këto janë disa nga pyetjet më të lehta, ndërkohë që nuk mungojnë edhe pyetjet e sikletshme, si ajo ku kandidati duhet të përgjigjet nëse ka marrë, ose jo lëndë narkotike, apo nëse ka pasur, apo ka probleme me shëndetin mendor dhe nëse është konsultuar me psikiatrin, apo psikologun.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë