Politike

A pini drogë? A i fshihni të ardhurat? A do pini alkool? A jeni i sëmurë mendërisht? Çfarë duhet të kuptojmë nga formulari i PD

Sikur kandidatët e Partisë Demokratike tu përgjigjen me saktësi dhe pa gënjyer 42 pyetjeve të formularit të verifikimit të integritetit të tyre, atëherë më shumë gjasë ata që do të dalin “qelibar” nga ky proces do të jenë shumë më pak nga numri i propozimeve, që kanë ardhur nga baza, (mbi 2000) e aq më shumë nuk do të ishte një dhimbje koke edhe për anëtarët e Komisionit të Vlerësimit që kanë filluar punën konkrete prej dy ditësh.

Pse? Sepse në këtë formular që është një përzierje e formularit të deklarimit të pasurisë, dekriminalizimit dhe modelit konservator britanik ka shumëçka mbi jetën e kandidatit nga të dhënat personale, gjeneralitetet aktuale, ato të mëparshme, të dhënat mbi personat e rrethit shoqëror që ata njohin më mirë, me çfarë jetojnë, sa pasuri kanë vënë, sa fëmijë kanë, (duhet të japin të dhënat edhe për ta pavarësisht se në formular ka kuti  vetëm për dy fëmijë, ndërkohe që mund të kenë më shumë), ku kanë punuar, si kanë punuar, kontaktet që ai personalisht apo bashkëshorti/ja; fëmijët apo prindërit, kanë pasur në mënyrë të vazhdueshme me një shtetas të huaj brenda 10 viteve të fundit, me të cilët kanë qenë në një lidhje shoqërore/miqësore, afeksioni, influence, interesi të përbashkët dhe/ose detyrimi;  

Të listojnë tre persona më të cilët kanë ndjekur një nga ciklet e universitetit bashkë, në të njëjtin kurs dhe periudhë, e deri tek pyetje delikate për  shëndetin psikologjik dhe emocional si psh; A jeni konsultuar ndonjëherë me një psikolog dhe/ose psikiatër në lidhje me gjendjen tuaj emocionale ose mendore? A keni qenë ndonjëherë i shtruar në institucionet shëndetësore për këtë arsye? Apo edhe pyetje për përdorimin e substancave të paligjshme narkotike deri edhe të tipit; A keni përdorur ndonjëherë drogë? A e keni përdorur kur keni qenë në marrëdhënie pune? A mendoni se mund ta përdorni në të ardhmen?

Pyetje të njëjta edhe për përdorimin e alkoolit deri diku edhe pa sens si psh; A mendoni se mund të përdorni alkool në të ardhmen?

Kandidatët duhet të përshkruajnë hollësisht edhe llojin, sipërfaqen, adresën e shtëpisë ku ndodhen, vitin e krijimit të banesës, vlerën në lekë apo në valutë, çmimin e blerjes, burimet e krijimit të çdo lloj pasurie të regjistruar ose jo në regjistrat publikë si dhe të  gjitha pasuritë e akumuluara ndër vite.

Duhet të përgjigjen pastaj edhe nëse kanë një biznes privat me të dhënat të hollësishme apo edhe pyetje të tipit; A i keni fshehur ndonjëherë të ardhurat me qëllim mospagimin e detyrimeve tatimore? Apo edhe pyetje të natyrës; A keni pranuar ndonjëherë dhurata me vlerë mbi 10,000 lekë apo trajtime preferenciale të ofruara për shkak të ushtrimit të një funksioni publik?

Për të gjitha këto dhe një qerre pyetjesh të tjera, kandidatët e PD-së duhet të tregohen tësinqertë.

Se si do të vlerësohet e vërteta e përgjigjeve vetëm anëtarët e Komisionit të Vlerësimit e dinë.

Ajo që dihet është se në rast se në formularin e verifikimit të integritetit nuk jepen të dhënat e plota apo nuk plotësohen të gjithë pjesët e kërkuara, automatikisht ai kandidat do të skualifikohet

Edhe në rastet kur në vijim të karrierës së personit në fjalë do të konstatohet fshehje, shtrembërim apo falsifikim i informacionit të deklaruar, kjo do të çojë në përjashtimin permanent nga ushtrimi i funksioneve në Partinë Demokratike apo nga funksionet publike shtetërore që ai mund të ketë në të ardhmen.

Komisioni i Vlerësimit ka të drejtë të organizojë edhe intervista me kandidatët gjatë procesit të verifikimit, në ato raste kur ata gjykojnë se do të ketë nevojë për shpjegime plotësuese.

Mundësitë e çdo individi për riverifikim, pas këtij vendimi, rriten ndjeshëm në qoftë se ai i përgjigjet duke shkruar të vërtetën në pyetjet përkatëse të formularit. Pra, çdo individ do të ketë mundësinë të japë shpjegime rreth përgjigjeve të dhëna në formular.

Qartësimet e shpjegimet e dhëna me këtë rast edhe mund të mos ruhen zyrtarisht. Ndërkohë që të gjitha të dhënat e tjera do të ruhen në një database dhe nuk do të bëhen publike.

Formularin duhet ta plotësojnë të gjithë kandidatët.

Në disa pjesë të saj ka përjashtim për ish-deputetët dhe ata që kanë pasur funksione publike apo punojnë aktualisht në administratë, për ato pyetje që përfshihen edhe në formularin e deklarimit të pasurisë dhe dekriminalizimit, dokumente që i kanë me detyrim t’i plotësojnë çdo vit.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë