Partia Demokratike thotë se Artur Metani si Inspektor i Lartë i Drejtësisë nuk mund të garantojë dot pavarësinë e sistemit të drejtësisë nga politika, pasi ai vetë është shërbëtor i Edi Ramës.
“Emërimi i tij vulos dështimin e reformës, kapjen dhe politizimin e drejtësisë. Artur Metani, që duhet të garantojë pavarësinë e drejtësisë nga politika, u emërua sot në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet. Është një emërim partiak në një nga pikat kyçe të sistemit të drejtësisë, që verifikon dhe nis hetime për të gjithë gjyqtarët, prokurorët, si dhe për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë”, thuhet në reagimin e Selisë Blu pas zgjedhjes së Metanit nga Kuvendi këtë të hënë.
Partia Demokratike është e bindur se Artur Metani nuk do t’i shërbejë pavarësisë së drejtësisë.
“Ai është emëruar aty për të qenë shërbëtor i Edi Ramës. Me këtë emërim Edi Rama investohet personalisht kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve që gjykojnë dosjet e korrupsionit, vjedhjen e votave nga qeveria e Edi Ramës, apo lidhjet e tij me krimin e organizuar”, vijon deklarata.
Ky emërim, sipas opozitës, është zhgënjim për qytetarët.
“Emërimi i Artur Metanit, një militanti partiak, vartës i Ramës, vëlla i deputetes dhe ish ministres së Ramës është një tjetër zhgënjim i thellë për të gjithë shqiptarët që prisnin drejtësi të pavarur nga reforma në drejtësi e cila, me hapin e sotëm është pranë vdekjes klinike”, mbyllet reagimi i PD-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.