Lajme

PD mbledh Kuvendin Kombëtar më 15 dhjetor

Në datën 15 dhjetor Partia Demokratike do të mbledhë Kuvendin Kombëtar, i cili u hap rrugë zgjedhjeve në të gjithë strukturën bazë dhe përcakton ekipin me të cilin kryedemokrati Lulzim Basha do të synojë fitoren e zgjedhjeve lokale dhe rikthimin e së djathtës në pushtet.

Pas procesit të ristrukturimit, në të gjitha degët janë zhvilluar zgjedhjet për seksionet dhe grup seksionesh. Këtë fundjaavë që vjen do të mbahen zgjedhjet në degë ku do të përzgjidhen dhe kryetarët e rinj.

Pjesa më e madhe e të deleguarve për procesin e ristrukturimit kanë sjellë në selinë e PD-së emrat e kandidatëve.

Në shtator Kuvendit Kombëtar i ka përfunduar mandate, ndërsa nënkryetarët dhe sekretariati ka mandat deri në fund të nëntorit.

Kuvendi kombëtar do të jetë vetëm zgjedhor, pasi muaj më parë u bënë ndryshime statutore dhe nga ky forum do të dalë Këshilli i ri kombëtar, i cili do të zgjedhë kryesinë e PD-së, nr 2 të partisë, sekretarin e përgjithshëm, nënkryetarët dhe sekretariatin.

Mbetet për t’u parë kush do të jetë ekipi i ri i Bashës për betejën e zgjedhjeve lokale të qershorit. Ndërkohë që në ditët në vijim do të diskutohet edhe një bashkëpunim i mundshëm për daljen me një kandidat të përbashkët të opozitës në këtë garë për kryeqytetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë