Lajme

PD: Manastirliu i shërben mafias së ilaçeve

Paraditen e sotme, Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë të nisë hetimet ndaj ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në lidhje me skandalin e denoncuar pak ditë më parë për ilaçet e skaduara.

Deputeti demokrat, Bardh Spahia, në një deklaratë për mediat nga selia blu u shpreh se sasia e madhe e ilaçeve të skaduara është për shkak se ministrja Manastirliu i shërben mafias së ilaçeve.  

Spahia u shpreh se ministrja, më parë edhe drejtoreshë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është përgjegjësja kryesore për shndërrimin e QSUT-së në koshin e mbeturinave të ilaçeve të skaduara. 

 “Ministrja e Shëndetësisë, e cila, para kësaj detyre ka qenë Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”është përgjegjësja kryesore për shndërrimin e QSUT-së në koshin e mbeturinave të ilaçeve të skaduara. Që kur u emërua në detyrë 5 vjet më parë në QSUT, Ogerta Manastirliu, në mënyrë kriminale dhe në shkelje flagrante të ligjit, ka lejuar të skadojnë ilaçet që ka gjetur në depon farmaceutike të spitalit, duke blerë vazhdimisht me tendera të dyshimtë dhe duke pranuar si dhuratë barna me afat të afërt skadence, asgjësimi i të cilave ka kosto shumë të lartë”, u shpreh deputeti demokrat.  

Pas akuzave të deputetit demokrat ka reaguar menjëherë ministrja e Shëndetësisë. Me anë të një postimi në “Facebook”, ajo u shpreh se në farmacinë e QSUT nuk ka ilaçe të skaduara, ndërsa për sa i përket barnave të skaduara të akumuluara prej viteve 2009 e në vijim, në magazinat e QSUT, theksoi se është hapur procedura e asgjësimit të tyre nga institucioni përgjegjës, bazuar në legjislacionin në fuqi.

“Çdo medikament merret në dorëzim nga një grup verifikimi, hyn në farmaci sipas një sistemi të dixhitalizuar dhe dorëzohet në shërbime, i kontrolluar nga ekipet përgjegjëse. Sa i përket barnave të skaduara të akumuluara prej viteve 2009 e në vijim, në magazinat e QSUT, është hapur procedura e asgjësimit të tyre nga insitucioni përgjegjës, bazuar në legjislacionin në fuqi. Nëpërmjet marrëveshjes kuadër të bërë për herë të parë në vitin 2018, ne kemi siguruar blerjen e barnave sipas sasive të kërkuara nga spitalet, duke shmangur edhe stokun edhe skadencat dhe duke mundësuar që spitalet të kenë hapësira të zgjedhin dhe të përdorin barnat, në sasitë që u nevojiten. Ky është fakt!”, shkruan ministrja Manastirliu në “Facebook”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë