Politike

PD, Malltezi: Moratoriumi i pyjeve nuk zbatohet, ekziston vetëm në letër

Për Partinë Demokratike moratoriumi i pyjeve është i pazbatueshëm dhe, sipas saj, në disa zona vazhdon prerja pa kriter.  Drejtori i Departamentit të Mjedisit, Jamarbër Malltezi në një deklaratë për median thekson se një inspektim 1 ditor në pyjet dhe zonat e mbrojtura të Librazhdit tregoi se ligji për moratoriumin e prerjes së pyjeve ekziston vetëm në letër.

“Përtej propagandës dhe fasadës që tregon Edi Rama, e vërteta tregon se pyjet po shfarosen për qëllime tregtare në Librazhd, Kolonjë, Dibër dhe Tiranë, siç është rasti i zonës së Laknasit. Moratoriumi 10-vjeçar e ndalon prerjen e pyjeve për qëllime fitimi, që shkojnë përtej nevojës banorëve të zonave të ndryshme për t’u ngrohur gjatë dimrit, por kushdo që paguan ryshfet tek ky pushtet mund të presë pyjet e të bëjë tregti lirshëm brenda zonave të mbrojtura në rezervatet e Librazhdit, si në Malin e Polisit, Dardhë - Xhyrë, Shelegur-Germenj dhe kudo tjetër. Duke lejuar prerjen e pyjeve megjithë denoncimet thuajse të përditshme në rrjetet sociale dhe median online, Edi Rama dhe Taulant Balla faktohen se janë pjesë e kësaj lakmie shkatërruese antiligjore”, deklaron Malltezi.

https://www.facebook.com/partiademokratike/videos/417367478968229/?t=110

Më tej ai thekson se me ligj, banorët mund të marrin dru zjarri për nevoja personale, por pushteti i korruptuar i Edi Ramës burgos fshatarët që marrin dy mushka dru për t’u ngrohur dhe trajton si të paprekshëm banditët e pyjeve që japin ryshfetin te Rama dhe Balla. Në realitet, shkelja e moratoriumit është e përditshme. Faktet tregojnë se inspektorët profesionistë të pyjeve u pushuan nga puna dhe u zëvendësuan me militantë apo trafikantë droge.

“700 inxhinierë pyjesh u pushuan nga puna prej qeverisë Rama. Për  pasojë, tani rrezikon të mbyllet dega e Pyjeve në Universitet, pasi për të rinjtë nuk ka motivim të studiojnë një degë, për të cilën pushtetit mafioz të Edi Ramës nuk i duhen profesionistët. Ata janë zëvendësuar nga “çunat problematikë”, që përdoren për blerje votash sa herë ka zgjedhje. Inspektimi 1 ditor në pyjet dhe zonat e Librazhdit tregon se situata në pyje është e rëndë. Për të ndalur shfarosjen e pyjeve nevojitet zgjidhje urgjente, që nuk mund ta japë as Edi Rama, as Taulant Balla, bashkëpunëtorë të kësaj maskare mjedisore me heshtjen e tyre kriminale”, theksoi Malltezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë