Lajme

PD: Lleshi një kukull, Rama ‘de facto’ Ministër i Brendshëm

Partia Demokratike e cilëson si të papërshtatshme figurën e Sandër Lleshit për t’u caktuar në krye të Ministrisë së Brendshme. Pas përplasjeve të forta mes mazhorancës dhe Presidentit për çështjen e refuzimit të dekretit pwr emërimin e ministrit të Brendshëm, si dhe vendimit të marrë nga kryeministri për caktimin e Lleshit si zv.ministër, duke i dhënë “plotfuqinë e një ministri” ka ardhur edhe reagim i Partisë Demokratike.

“Këmbëngulja e Edi Ramës për emërimin e Sandër Lleshit në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, konfirmon qëndrimin e opozitës se Rama e ka jetike kontrollin e plotë të Ministrisë së Brendshme.  Duke qenë vetë de facto Ministër i Brendshëm, Edi Rama ka më shumë mjete për të mbrojtur Olsi Ramën, Vangjush Dakon, Taulant Ballën, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetaj dhe këdo tjetër anëtar të bandës së tij në pushtet. Emërimi i figurës më të papërshtatshme për të drejtuar Ministrinë e Brendshme provon që Edi Ramës nuk i intereson lufta kundër krimit të organizuar, por mbrojtja e tij me çdo çmim”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Për opozitën Lleshi i duhet Ramës për t’i siguruar paprekshmërinë krimit. “Është fakt që deri më sot asnjë emërtesë e Edi Ramës në krye të Ministrisë së Brendshme nuk  e ka luftuar krimin e organizuar, por ka bashkëpunuar dhe e ka mbrojtur atë me porosi direkte të Edi Ramës.

Edi Rama nuk mund ta luftojë Edi Ramën, prandaj i duhet një kukull si Sandër Lleshi për të mbrojtur veten dhe për t’i siguruar  paprekshmëri krimit”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Një ditë më parë nga Korça, kryedemokrati Basha  deklaroi se Meta ka kompetenca që ia njeh Kushtetuta sa i përket çështjes së dekretimit. Ai i ktheu përgjigje edhe kryeministrit Rama për SMS-në që ai iu dërgoi dje deputetëve të PS, që të mos komentonin vendimin e presidentit Meta.

“Ministri i tretë i propozuar nga Rama është dëshmi e krizës së thellë politike morale të mosqeverisjes së vendit si rezultat i bashkëqeverisjes me krimin. Vendi është pa kryeministër, pa gjykate, pa prokurori dhe përgjegjësia është e organizatës kriminale të Rilindjes dhe kreut të saj. Presidenti ka kompetencat e tij kushtetuese dhe jam i sigurt që ai do të japë të gjitha për aspektin kushtetues për dekretin e ministrit të Brendshëm të propozuar nga Rama. Një gjë është e sigurt, që lëvizja e ardhshme në atë që nuk është lojë shahu, por ka të bëjë me fatin e shqiptarëve, është largimi i vetë Edi Ramës”, deklaroi Basha.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili në një postim në rrjetin social vlerëson vendimin e Presidentit Meta,  duke theksuar se mos dekretimi i një propozimi të një Kryeministri për një këshilltar të tij është ngjarja që vuri përpara opinionit sfidën e integritetit të dërrmuar të qeverisë, qoftë si identitet politik, programor dhe moral për më shume se çdo gjë tjetër.

“Zgjedhje të dështuara të njëpasnjëshme ministrash të Brendshëm, kane rënduar si kurrë më parë situatën e rendit dhe të sigurisë, trafiqeve, krimit te organizuar, pastrimit te parasë se pisët. Aq më e rënde është situata, pasi provat që nga ministrat e deri te komandantët e policisë u bënë njësh me kriminelët janë tani publike dhe të njohura ndërkombëtarisht.

Zgjedhjet pa integritet, ç’integruan një nga shtyllat madhore të sigurisë kombëtare, pra rendin dhe sigurinë publike.

Mosdekretimi dhe përkujdesja për një zgjedhje me integritet të lartë ishte një veprim e detyrim në kohën e duhur. Integriteti i dërrmuar është dimensioni i kësaj qeverie, që marionetizimin e ka dimension te saj. Alibitë e lodhura mediatike, që keq lexojnë Kushtetutën u ngjajnë psherëtimave dhe gjetheve të fikut, që duan me pa derman të mbulojnë një dezintegritet qeveritar shumë të qartë dhe që s'ka nevojë për analizë. Demonizimi i integritetit për llogari të pushtetit është një krim i vërtetë shoqëror. Çdo avokati anti-integritet është për llogari të së mirës së xhepit dhe jo të së mirës së shtetit”, shkruan Vasili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë