Politike

PD: Ligji Antimafia të veprojë ndaj Valdrin Pjetrit

Partia Demokratike nuk pret verifikimin e prokurorisë për t’u bindur nëse Valdrin Pjetri është i dënuar apo jo për trafik lëndësh narkotike nga drejtësia italiane. Ajo është e bindur që ndaj Pjetrit ka një vendim të formës së prerë dhe përveç ligjit të dekriminalizimit, kërkon që ndaj tij të zbatohet edhe ligji antimafia.

Ligji i dytë parashikon sekuestrimin e pasurive për personat e dënuar për trafik droge.

“Sipas Ligjit Antimafia, Valdrin Pjetri është subjekt i drejtpërdrejtë i tij, pasi siç shprehet ligji subjekt i ligjit është çdo person për të cilin ka indicie se ka kryer krime që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike. Për rastin e Valdrin Pjetrit, jo vetëm që ka indicie për kryerjen e këtyre krimeve, por ky fakt është i provuar nga vendimet e drejtësisë italiane, të cilat janë publikuar prej disa ditësh nga Partia Demokratike”, deklaroi Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata.

Gjata fajësoi drejtpërdrejtë Kryeministrin Edi Rama se nuk po e mbron Valdrin Pjetrin vetëm nga ky ligj, por po pengon edhe vetë kandidatin e socialistëve në zgjedhjet e 30 qershorit që të dorëhiqet, madje edhe prokurorinë që të verifikojë akuzat e opozitës.

“Ai po kryen njëkohësisht tre veprime, në mënyrë që t’i shkojë deri në fund skenarit të tij kriminal për të uzurpuar Bashkinë e Shkodrës. Së pari, po pengon Valdrin Pjetrin që të japë dorëheqjen pas verifikimit se është dënuar për trafik droge në Itali. Së dyti, po pengon prokurorinë të konfirmojë gjetjet e Partisë Demokratike, të verifikuara në mënyrë të pavarur nga Zëri i Amerikës dhe së treti po pengon zbatimin e Ligjit Antimafia për verifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive nga trafiku i drogës i Valdrin Pjetrit”, deklaroi Gjata.

PD thotë se Rama po e përdor Valdrin Pjetrin për të uzurpuar Bashkinë e Shkodrës.

“Përgjigjet e këtyre pyetjeve lidhen drejtpërsëdrejti me planin e Edi Ramës për të përdorur trafikantin e drogës derisa, në mënyrë të paligjshme, të marrë drejtimin e Bashkisë së Shkodrës. Është ky skenar pse trafikanti I drogës Valdrin Pjetri ndalohet të japë dorëheqjen para betimit, pse prokuroria po e zvarrit verifikimin, pse ligji antimafia nuk vepron”, vijoi Gjata.

Partia Demokratike thotë se Valdrin Pjetri ka disa pasuri të pajustifikuara, duke kujtuar këtu edhe një hotel në periferi të Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë